Bota

Hetimi “Partygate”, ish-kryeministri britanik Johnson i jep “lamtumirën” mandatit të deputetit!

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson jep dorëheqjen si deputet me efekt të menjëhershëm. Një vendim që pasoi marrjen e raportit për skandalin e njohur si Partygate. Lajmin e bën të ditur rrjeti britanik BBC.

Johnson akuzohet se ka gënjyer Parlamentin në lidhje me festat e organizuara në Downing Street gjatë periudhës së mbylljes për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në këtë kohë, britanikët si qytetarët në pjesë të ndryshme të botës iu nënshtruan kufizimeve të forta të distancimit social në kuadër të masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Në një deklaratë, ish-shefi i qeverisë së Londrës u shpreh:

Unë nuk kam gënjyer dhe besoj se në thellësi të zemrave të tyre, anëtarët e komisionit e dinë këtë gjë. Ata e dinë shumë mirë se kur fola në Dhomën e Komunave, unë po thoja atë për të cilën sinqerisht besoja se ishte e vërtetë dhe gjithashtu atë që isha udhëzuar të them, si çdo zyrtar.

Më pas, kryeministri Johnson vuri në dukje se e korrigjoi menjëherë pikën ku shprehej se anëtarët e komisionit “e dinë”. Po ashtu, theksoi se komisioni është i vendosur “ta dëbojë nga Parlamenti”.

Boris Johnson u shpreh edhe se vendimi i Komitetit të Privilegjeve kundër tij përbën një “precedent të rrezikshëm e shqetësues”. Në një ankesë, deklaroi:

Tani po detyrohem të largohem nga parlamenti nga një grusht njerëzish, pa asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tyre e pa miratimin as të anëtarëve të Partisë Konservatore, për të mos folur për elektoratin e gjerë.