Aktualitet Bota

Britani, Gjykata e Lartë mbështet planin e qeverisë për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë!

Plani i qeverisë britanike për të dëbuar emigrantët në Ruandë është i ligjshëm. Synohet që azilkërkuesit të presin në këtë vend afrikan teksa iu shqyrtohet kërkesa për azil. Kështu vendosi sot Gjykata e Lartë, duke theksuar se “skema nuk shkel Konventën e OKB-së për Refugjatët ose ligjet e të drejtave të njeriut”.

Por, rastet e tetë azilkërkuesve nuk u shqyrtuan siç duhet e duhet të rishqyrtohen!

Sekretarja e Punëve të Brendshme, Suella Braverman përsëriti qëndrimin se “është e përkushtuar që politika e Ruandës të funksionojë”. Një seancë dëgjimore do të zhvillohet në janar për të trajtuar çdo kërkesë apeli. E pyetur se cili është plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkues në Ruandë, Braverman tha:

Gjithnjë kemi menduar se kjo politikë është e ligjshme dhe sot gjykata e mbështeti. Jam e përkushtuar që ky partneritet të funksionojë. Fokusi im mbetet në ecjen përpara me planin tonë, sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne jemi të gatshëm të mbrohemi kundër çdo sfide të mëtejshme ligjore.

Clare Moseley, themeluesja e organizatës Care4Calais, që kujdeset për refugjatët e mes tyre ka edhe shqiptarë që zgjedhin të kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla për të shkuar në Britani, u shpreh “e zhgënjyer”.

Njerëzit që kanë vuajtur tmerret e luftës, torturës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, nuk duhet të përballen me traumën e madhe të dëbimit në një të ardhme ku ne nuk mund t’iu garantojmë sigurinë.

Ndërkohë, Josie Naughton, shefja ekzekutive e organizatës Choose Love, siguroi se “aktivistët do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e njeriut, për të kërkuar azil. Edhe Partia Laburiste e komentoi planin e qeverisë Sunak për Ruandën, duke e cilësuar “të pafuqishëm” dhe “joetik”.

James Wilson, zëvendësdrejtor i Aksionit të Paraburgimit, tha:

Jemi të zhgënjyer që Gjykata e Lartë konstatoi se zhvendosja e refugjatëve në një shtet autokratik që torturon e vret njerëz është i ligjshëm. Por, ne do të luftojmë! Politika e Ruandës është brutale dhe e dëmshme e tani do të nisim apelimin kundër gjykimit të sotëm.

Zëdhënësja e qeverisë së Ruandës, Yolande Makolo u shpreh:

Ne e mirëpresim këtë vendim e jemi të gatshëm t’u ofrojmë azilkërkuesve dhe emigrantëve sigurinë e mundësinë për të ndërtuar një jetë të re në Ruandë. Ky është një hap pozitiv në përpjekjen tonë për të kontribuar në zgjidhje novatore e afatgjata për krizën globale të emigracionit.