Bota

Budapesti “ylber”, LGBT+ në Paradën e Krenarisë anti-Orban!

Zemërimi në rritje ndaj politikave të qeverisë së krahut të djathtë të Hungarisë mbushi rrugët e kryeqytetit Budapest me mijëra mbështetës të komunitetit LGBT që marshuan në paradën vjetore të Krenarisë.

Pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin ndaj masave më të fundit të qeverisë së kryeministrit populist Viktor Orban, i akuzuar se stigmatizon pakicat seksuale në vendin e Europës Qendrore. Kjo bëri që marshimi i këtij viti të shënohej si protestë kundër politikave aktuale.

Për agjencinë Associated Press, një zëdhënës i paradës deklaroi:

Shumë njerëz LGBT+ janë të frikësuar dhe kanë ndjesinë sikur nuk kanë më vend apo të ardhme këtu!

Në qershor, Parlamenti i Hungarisë miratoi ligjin që ka nxitur debate pasi ndalon që të miturve t’iu prezantohen materiale mbi homoseksualitetin ose ndryshimin e gjinisë. Kjo masë i bashkangjitet një projektligji që lejon ndëshkime më të ashpra për pedofilët.

Qeveria e Hungarisë thotë se me politikat e saj synon të mbrojë fëmijët. Por kritikët që i krahasojnë me një ligj rus të vitit 2013, shprehen se ato lidhin homoseksualitetin me pedofilinë, si pjesë e një fushate për të mobilizuar votuesit konservatorë para zgjedhjeve të pranverës së ardhshme.

Ligji po përballet me kundërshtimin e ashpër të shumë politikanëve në Bashkimin Europian, anëtare e të cilit është edhe Hungaria. Javën e kaluar, Komisioni Europian nisi dy procedura të veçanta ligjore kundër qeverisë hungareze, për shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT+.