Aktualitet

“Burgosi” familjen, prokuroria kërkon “Arrest në burg” për Jetnor Zhabolin/Nesër seanca!

“Arrest në burg”. Kjo është masa e sigurisë e kërkuar nga Prokuroria e Tiranës për Jetnor Zhabolin, i cili dy ditë më parë u kthye në personazh të kronikës për mënyrën e detajuar e të pazakontë të “burgosjes” së familjarëve në një apartament në zonën e Selitës së vjetër në kryeqytet. Çdo lëvizje monitorohej me kamera dhe për telefonat celularë kishte bllokues të valëve. Ndërkaq priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar gjendjen mendore të 35-vjeçarit.

Seanca për masën e sigurisë do të zhvillohet nesër në orën 09:30 në Gjykatën e Tiranës.

Ai i ndalonte komunikimin me persona të tjerë bashkëshortes, fëmijëve e nënës, si dhe ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj tyre, në mënyrë të vazhdueshme.

U mësua se që prej fillimit të marrëdhënies, Zhaboli ka qene xheloz dhe kontrollues, por me kalimin e kohës u bë akoma më shumë.

Kamerat e survejimit në “burgun” e shtëpisës, i kishte instaluar në çdo cep të banesës, madje edhe në dhomën e gjumit e në tualet dhe e monitoronte familjen nga celulari kur nuk ishte në banesë. Bllokuesin e valëve e kishte montuar që familjaret të mos bënin telefonata të pakontrolluara.

Kjo jetesë i kishte shkaktuar stres bashkëshortes së tij, e cila pati tentuar edhe vetëvrasjen. Në banesë policia gjeti dy letra që gruaja i kishte shkruar familjarëve të saj, me fjalë lamtumire dhe gjithashtu iu kërkonte falje. Lidhja e çiftit datonte që në vitet e shkollës së lartë ku të dy kishin studiuar në Fakultetin e Ekonomisë.