Bota

Caktimi i dy avokateve, Berisha: Nuk kam asnjë njoftim, ai që ishte, ekzemplari për fytyrën e Ramës!

Ish-kryeministri Sali Berisha ndërsa hynte në selinë blu tha se nuk ka asnjë njoftim në lidhje me përcaktimin e dy avokateve mbrojtëse.

Ai gjithashtu komentoi përcaktimin e avokatit të parë nga shteti, Artan Simoni, i cili u zëvendësua më pas nga , Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.

Berisha: E patë ju kush ishte? Fytyra e vërtetë e tyre. Nuk kam asnjë njoftim për avokatët e rinj. Por ai që ishte, ai ishte ekzemplari më i shkëlqyer për fytyrën e Edi Ramës.

Vijon zvarritja proceduriale e seancës në GJKKO për marrjen në pyetje dhe verifikimin e masës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në orën 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, avokat, Jalldiz Kastrati dhe avokate Rabije Cenalia.

Në orën 11.00, ndërpritet seanca. Gjykata u la kohë mbrojtësve për t’u njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar ditën e sotme, në orën 15.00.

Në orën 11.15, avokatët dalin nga salla. E pyetur nëse do ta ndjekë apo jo rastin, Kastrati u përgjigj shkurtimisht për mediet se: “Po përderisa dola nga salla…”

Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, sekretaria ka telefonuar një numër të lartë avokatësh të cilët janë justifikuar se e kanë të pamundur, se agjenda e tyre ishte e zënë, derisa është mbërritur në listën emërore të përcaktuar.

Dy avokateve u është lënë kohë 4 orë e 15 minuta dhe do të kthehen në seancë pasi të kenë studiuar fashikujt. Nuk dihet nëse do të kthehen në seancë apo do të ketë lëvizje surprizë nga avokatët e Berishës.

15 minuta para nisjes së procesit, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion njoftoi përmes zyrës së shtypit kërkesën për largimin e Irena Gjokës nga drejtimi i seancës.