Aktualitet

Censi i popullsisë dhe banesave do të shtyhet deri më 15 nëntor!

Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Elsa Dhuli, njoftoi se censi i popullsisë dhe banesave do të zgjasë deri në mes të muajit të ardhshëm, në datë 15 nëntor.

Në një deklaratë për mediat, Dhuli ftoi të gjithë qytetarët që nuk e kanë kryer censin, të bëhen pjesë e procesit.

Gjatë kësaj periudhe, rreth 5 mijë e 240 anketues kanë trokitur në dyert e familjeve, të cilat i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për t’u angazhuar në përgjigjet e pyetësorit të censit. Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në këtë aktivitet, rreth 3 përqind e zonave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ende nuk janë numëruar, ndaj për këtë arsye, në disa zona të disa bashkive të vendit, mbledhja e informacionit në kuadër të censit do të vazhdojë deri në datën 15 nëntor.

Shkaqet e këtij vendimi, sipas Dhulit, janë rikontaktimi më shumë se tre herë në banesat pa kontakt, refuzimet apo edhe distancat e largëta; ndërtimet e reja e po ashtu ato në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit 2019. Të gjitha këto janë identifikuar gjatë punës në terren nga anketuesit e INSTAT-it. Numri një i Institutit të Statistikave u shpreh:

Ky proces vazhdimësie nënkupton mbulim të plotë të territorit nga ky aktivitet.

Censi i Popullsisë dhe Banesave nisi më 18 shtator të këtij viti dhe parashikohej të vazhdonte për një periudhë gjashtëjavore, deri më 28 tetor 2023. Por, tashmë ky proces do të shtyhet deri më 15 nëntor 2023. Rezultatet e para të Censit të Popullsisë dhe Banesave do të dalin në qershor të vitit të ardhshëm.

Anketuesi do të drejtohet në banesë të paktën 3 herë në kohë të ndryshme
Pyetësori ka një modul ku pyeten anëtarët e familjes nëse kanë anëtarë që jetojnë jashtë. Merret informacion kur është larguar, shteti ku është larguar dhe arsyeja pse.

Në pyetësor është një modul që i referohet dhe vizitorëve që mund të ndodhen pranë familjeve tona në ditën e censit apo të gjithë anëtarëve të familjeve që gjatë periudhës së 2 censeve kanë lëvizur jashtë vendit.

Në pyetësor duhet të përfshihet cilindo që është banor i zakonshëm në Njësinë Ekonomike Familjare (NJEF) që po numërohet. Këtu mbahen parasysh anëtarët e NJEF, shokët e dhomës, fëmijët kujdestarë dhe miqtë që zakonisht banojnë aty të cilët ndajnë një ekonominë pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.

Duhet të përfshijë gjithashtu njerëz që, për shembull, janë përkohësisht në spital ose jashtë vendit për një periudhë më pak se 12 muaj, por që normalisht jetojnë me ju.

Duhet të renditen gjithashtu personat që vizituan këtë NJEF gjatë natës së Cens dhe ish anëtarët e NJEF të cilët u zhvendosën jashtë vendit në dhjetë vitet e fundit.

Për qëllimet e Cens, “shtëpia” e një studenti është vendi ku ai / ajo jeton ndërsa ndjek universitetin. Nëse studentët nuk jetojnë në shtëpinë e prindërve të tyre shumicën e kohës, vendi i duhur për tu numëruar është në qytetin ose vendin ku jetojnë ndërsa ndjekin universitetin.

Është detyra qytetare e çdo personi të marrë pjesë në Cens. Sipas ligjit, çdo person, i cili në peridhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Cens, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin Preferoni të mos përgjigjeni.

Qytetari që nuk i përgjigjet pyetësorit ka penalitete, por vetëm nëse janë bërë të gjitha përpjekjet nga ana e stafit të INSTAT. Nëse pas tre vizitave nuk do të pranohet t’u përgjigjet pyetjeve dhe nuk u hapet dera anketuesve parashikohen penalitete për ata që nuk pranojnë të japin përgjigje, apo që japin përgjigje të rreme.

Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 5 të këtij ligji, me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

Censi i vitit 2023 nuk do të kërkojë: shumat e të ardhurave të NJEF; numrat e llogarisë së bankës ose kartës së kreditit; para ose dhurime; çdo gjë që ka të bëjë me partitë politike.