Aktualitet

Çështja Partizani, Apeli i Posaçëm e lë në “Arrest shtëpie” Sali Berishën/ Rrëzohet ankimimi i ish-kryeministrit!

Sali Berisha do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie, duke i rrëzuar ankimimin ish-kryeministrit nën hetim për korrupsion pasiv lidhur me çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë. Vendimin e mori sot Gjykata e Posaçme e Apelit:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B.,me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” dhe vendosi:

Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Reagoi avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, i cili për mediat u shpreh:

Vendimi i Gjykatës së Apelit për rrëzimin e kërkesës për administrimin e vendimit të përjashtimit, i cili u gjykua pas shpalljes së vendimit, gjë absurde, as më shumë dhe as më pak, Gjykata e Apelit vërtetoi, i dekriptuar përfundimisht qëllimi politik i mbajtjes në izolim të z. Berisha, pasi për SPAK-un dhe për Gjykatën Antikorrupsion nuk ka rëndësi nëse ai paraqitet ose jo.

Po për çështjen Partizani, sot në SPAK mbahet seanca e marrjes në pyetje e Jamarbër Malltezit. Ndërkaq, dje avokatët e tij depozituan në Gjykatën e Lartë rekursin për heqje të masës së sigurisë. Pasi Apeli i Posaçëm e la në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, dy avokatët Antoneta Sevdari e Jurgen Vatnikaj kërkojnë që Malltezi të jetë pa asnjë masë sigurie, me argumentin se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën prokuroria ka ngritur dyshimet.

Rekursi u dorëzua një ditë më parë e pritet të hidhet shorti, si dhe të caktohen data e ora e seancës.  Kujtojmë se edhe vetë SPAK-u ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të gjyqtares Iliriana Olldashi që liroi nga burgu Jamarbër Malltezin.