Aktualitet

Çmimet në Shqipëri rriten sa dyfishi i BE-së në nëntor!

Në nëntor të vitit të kaluar inflacioni mesatar në Bashkimin Europian ishte 10.1% ndërsa në Shqipëri 7.9%. Në nëntor të këtij viti 2023 inflacioni mesatar në BE arriti në 2.4%, ndërsa në Shqipëri treguesi ishte 3,9%. Siç tregojnë të dhënat, inflacioni mesatar në BE ka rënë më ritme shumë më të shpejta se në Shqipëri.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se inflacioni i lartë në BE, i cili u shkaktua pas luftës në Ukrainë kryesisht nga çmimet e larta e të energjisë u stabilizua më rënien e çmimeve.

Në Shqipëri inflacioni udhëhiqet nga problemet strukturore të ekonomisë së vendit ku prodhimi sidomos ushqimet janë në një ofertë më të ulët se kërkesa duke e bërë inflacionin e rezistues edhe pse Banka e Shqipërisë po ndjek një kurs shtrëngues të politikës monetare.

Sipas INSTAT ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Nëntor 2023 është 3,9%, një vit më parë ky ndryshim ishte 7,9%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Nëntor 2023, krahasuar me Tetor 2023 është -0,2%, ndërsa në BE-0.4%.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,52 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,37 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,36 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,19 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,14 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,04 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,25 pikë përqindje .

Krahasuar me muajin Nëntor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,1%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 6,0%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,5%, “Veshje dhe këpucë” me 2,9%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,8%. Gjithashtu çmimet në grupet e “Shërbimi arsimor” ndryshuan me 2,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,9%, “Shëndeti” me 1,0% dhe “Komunikimi” me 0,5%.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 4,0%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21,2%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 9,3%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,3%, “mish” me 7,1%, “peshk” me 2,7%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,6%, etj.

Krahasuar me muajin Tetor 2023, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,9%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,4%, “Transporti” me 0,3%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,2% dhe “Komunikimi” me 0,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u rritën me 0,2%, pasuar nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili./Monitor