Bota

Çudit Kuba, nis vaksinimin anti-COVID për moshat mbi 2-vjeç!

Kuba pretendon se është bërë shteti i parë në botë që ka nisur vaksinimin anti-COVID të fëmijëve nga mosha 2-vjeç. Prej 24 orësh, ky vend po imunizon të miturit e grup-moshës 2-11, me vaksinat e krijuara nga shkencëtarët kubanezë, por që nuk njihen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vendimi pasoi përfundimin e testimeve klinike të dy vaksinave të Kubës te fëmijë të vegjël e që megjithatë, nuk janë analizuar nga shkencëtarë ndërkombëtarë.
Të tjera vende në botë po vaksinojnë fëmijë nga mosha 12-vjeçare e disa po kryejnë testime te fëmijë më të vegjël. Këtu është fjala për Kinën, Emiratet e Bashkuara Arabe e Venezuelën.

Ndërkaq, Kuba komuniste me 11.2 milion banorë synon të imunizojë të gjithë fëmijët para rihapjes së shkollave. Viti i ri shkollor ka nisur, por fëmijët vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, duke ndjekur mësimet nga programet televizive e jo nga interneti, pasi shumica nuk kanë akses në të.