Aktualitet

Deklaratat e Gazment Bardhit për ndërhyrjen policore më 8 janar, Policia e Shtetit hedh poshtë akuzat!

Policia e Shtetit reagon pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi lidhur me ndërhyrjen e uniformave blu në protestën e 8 janarit në selinë e PD-së. Reagimi zyrtar u bë përmes një deklarate:

Reagimi për ndërhyrjen gjatë protestës së ndodhur në datën 8 janar, është bërë konform ligjit dhe rregullave që përcaktojnë qartësisht detyrat e Policisë së Shtetit dhe rastet se kur ndërhyhet në ambientet e një selie të një partie politike.

Policia e Shtetit hedh poshtë çdo akuzë, aludim apo insinuatë të shprehur për implikime të zyrtarëve të Policisë në skenarë aktesh dhune gjatë protestës dhe menaxhimit të gjithë situatës.

Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ndërhyri me vonesë, por kreu detyrat e saj bazuar në aktet ligjore e nënligjore dhe menaxhoi me profesionalizëm e paanshmëri protestën e datës 8 janar 2022.

Policia shpreh keqardhjen për zëra të pavërtetë dhe dashakeqës ndaj punës së saj, e cila edhe për masat e marra në protestën e datës 8 janar ka marrë vlerësimet maksimale nga OSBE-ja dhe organizma e partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Për ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike, në protestën e thirrur më 8 janar, pas Sali Berishës si organizator i saj, sot merren në pyetje Lulzim Basha e Gazment Bardhi. Kryetarit demokrat i është kërkuar të paraqitet për të dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës pas një ore, ndërsa Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, 60 minuta më pas. Një ditë më parë, në organin e akuzës së kryeqytetit ishin Berisha e Flamur Noka. Ish-kryeministri përsëriti se “revolucioni vazhdon”, “ndërtesa do të merret” dhe se “protesta e të shtunës ishte paqësore”, edhe pse ndërhyri policia.

Partia Demokratike reagoi për komentet e ish-kryetarit, duke e cilësuar “mashtrues kronik për ngjarje që u panë botërisht”. Siç dihet, Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime mbi ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike më 8 janar. U ndaluan mbi 30 persona, 5 nga të cilët janë në “arrest shtëpie” dhe për pjesën më të madhe u dha “detyrim për paraqitje”. Ndërkaq, Gazment Bardhi e Flamur Noka u përfshinë që ditën e parë në listën e personave, ndaj të cilëve nisi procedim penal nga Prokuroria.