Aktualitet Politikë

Demokratët s’mund të drejtohen nga një person “non grata”, Alibeaj kthen negociatat mes palëve në pikën zero

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka treguar detaje nga takimi i tij me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ai ka treguar, se Berisha ka kërkuar që partia të bashkohet, por kjo s’mund të ndodhë sipas Alibeajt duke pasur brenda saj individë, aq më keq një kryetar partie të etiketuar si non grata.

“Berisha pretendon bashkimin e demokratëve përmes votës. Qëndrimi im ishte i tillë, PD ka lindur si parti në vitet ’90, si parti pro Perëndimore. Kjo është një nga vlerat e kësaj partie dhe se e mira e demokratëve për të rifuqizuar demokratët, kalon duke respektuar në mënyrë strikte këto vlera, e kthyer në diskutimin aktual, ajo që i thash zotit Berisha ishte kjo: PD, 30 vite pas krijimit të saj nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve duke pasur brenda saj individë, një profil politik, deputet, aq më keq një kryetar partie të etiketuar si non grata. Gjuha e bashkimit është interesi i demokratëve, për të rrëzuar regjimin komunist të Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Në konferencën për media, Alibeaj tha se bashkimi i demokratëve kalon nga një akti i vetëm, simetrik, siç ndodhi me zotin Basha, të ndodhë dhe me zotin Berisha.

“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, grupi parlamentar, së bashku me deputetët e pezulluar të mund të diskutojmë për bashkimin. Bashkimi kalon nga një akt i vetëm, një akt simetrik, siç ndodhi me zotin Basha, të ndodhë dhe me zotin Berisha”, deklaroi Alibeaj