Aktualitet

Detaje për aksidentin te kthesa e Rinasit, policia: Një viktimë, tre të lënduar!

Policia jep detaje lidhur me aksidentin e mëngjesit të sotëm te kthesa e Rinasit, më i fundit që përgjak rrugët tona. Tre makina “Benz”, kamion “Volvo” dhe “Skoda” u përplasën mes tyre pas orës 07:00, në drejtim të Fushë-Krujës. Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e Skodës, i cili ndërroi jetë, si dhe u plagosën tre pasagjerët që udhëtonin me të. Raportohet se grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Më datë 15.01.2024, rreth orës 07:20, te kthesa e Rinasit në drejtim të Fushë-Krujës, janë përplasur automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. B., 53 vjeç, automjeti kamion “Volvo”, me drejtues shtetasin A. R., 45 vjeç, dhe automjeti tip “Skoda”, me drejtues shtetasin G.R., 32 vjeç.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë shtetasi G. R., dhe janë dëmtuar 3 pasagjerët që ndodheshin me të, të cilët janë transportuar për në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor pranon se 55% e aksidenteve ndodhin në rrugët urbane kryesore dhe dytësore. Pranohet edhe se 27% e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të faktorit mjedisor e 8% për shkak të defekteve në makinë.

Si automjete aktive numërohen 854 586, ndërsa janë çrregjistruar 5740 makina me moshë mesatare 22 vjeçare. Megjithatë, përdorimi i makinave të vjetra mbetet një problem. 105 vende janë të identifikuara si njolla rreziku, thënë ndryshe zona ku ndodhin më shpesh përplasje.

Mes shkeljeve më të zakonshme që kryejnë drejtuesit e automjeteve, policia veçon shpejtësinë tej normave të lejuara e që sjell pasoja, mosrespektimin e sinjalistikës, kryesisht me parakalime të gabuara ose kthimit, devijimit në rrugë në mënyrë të papritur nga drejtuesi i mjetit.

Një tjetër shkak kryesor është përdorimi i aparatit celular dhe është shkelje që realisht sjell pasoja pasi nga mungesa e vëmendjes, mjeti devijon, spostohet me dhjetëra metra e në moment mungesa e vëmendjes çon vazhdimisht në aksidente.