Bota

Dhunë verbale dhe zhurmues/ PS kërkesë: Të përjashtohen Noka dhe Bardhi!!

Parlamenti do të ndërmarrë ndëshkimin e deputetëve demokratë për zhurmën në seancën e të hënës dhe sulmin ndaj Flutura Akçës, kryetare e komisionit parlamentar të medias.

Burime nga grupi parlamentar i PS i thanë Top Channel se për këto dy incidente është duke u përpiluar kërkesa për ndëshkimin e dy deputetëve demokratë e cila do ti dërgohet këshillit të Etikës dhe Mandateve.

Socialistët kanë mbërritur në përfundimin se Gazment Bardhi dhe Flamur Noka plotësojnë kushtet për të kërkuar masë ndëshkuese bazuar në rregulloren e re të kuvendit.

Në të tilla kushte Gazment Bardhi dhe Flamur Noka mund të dënohen nga 30 deri 60 ditë përjashtim nga parlamenti.

Ky ndëshkim do t’i hiqte grupit mbështetës të Sali Berishës dy prej deputetëve më aktiv në udhëheqjen e mosbindjes civile në parlament. Në seancën e të hënës, deputetët demokratë evituan përdorimin e flakadanëve gjë e cila do ti çonte automatikisht në ndëshkime 60 ditore.

Zgjodhën një metodë të re bllokimi të punimeve të kuvendit, atë të zhurmë-prodhimit nga një aplikacion i instaluar në telefonat smart e amplifikuar zhurmën në sallën e kuvendit.