Aktualitet

Dhunoi djalin e mitur të ish-gruas e ish-vjehrrën dhe iu dogji banesën në Vlorë, ende në kërkim 51-vjeçari nga Kosova!

Ngjarja e djeshme në Llakatund të Vlorës, arrestohet njëri prej dy autorëve. Gëzim Bacaj nga Kosova u ndalua në pikëkalimin e Morinës ndërsa tentonte largimin nga vendi ynë.  Vijon i shpallur në kërkim Haki Bajrami, po nga Kosova.  51-vjeçari është autori kryesor i dyshuar, i akuzuar se në bashkëpunim me Bacajn tentoi vrasjen e ish-vjehrrës e thjeshtrit të tij të mitur, duke i dhunuar e lënë pa ndjenja dhe më pas i vuri zjarrin banesës së tyre në Llakatund. Të dëmtuar, mundën të dilnin nga shtëpia në flakë e për shkak të djegieve janë në spital. U dogj pjesërisht një banesë pranë asaj të të moshuarës. Po ashtu u arrestua një 32-vjeçar banues në Kosovë, për “Moskallëzim krimi”.

Njoftimi zyrtar:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Llakatund, Vlorë, dyshohet se për motive të dobëta, 2 shtetas kishin dhunuar fizikisht një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, dhe më pas kishin tentuar t’i vrisnin ata, duke i vënë zjarrin banesës ku këta 2 shtetas gjendeshin pa ndjenja, kanë organizuar punën për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtij rasti.

Falë veprimeve të shpejta operacionale të Policisë së Vlorës, si dhe koordinimit të informacionit dhe punës policore me shërbimet e PKK Morinë, u kap në Morinë, në tentativë për t’u larguar drejt Kosovës, njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi G. B., 42 vjeç, banues në Kosovë. Gjithashtu për këtë rast, u vu në pranga shtetasi D. K., 32 vjeç, banues në Kosovë (shoqërues i shtetasit G. B.), i cili dyshohet se duke patur dijeni për këtë krim, nuk e kallëzoi atë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim autori i dyshuar kryesor i kësaj ngjarjeje, shtetasi H. B., 51 vjeç, banues në Kosovë. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve hetimore paraprake, bazuar dhe në kallëzimet e shtetasve të dëmtuar, dyshohet se shtetasit H. B., në bashkëpunim me shtetasin G. B., kanë tentuar të vrasin shtetasen e moshuar dhe nipin e saj të mitur (ish-vjehrra dhe thjeshtri i shtetasit H. B.), duke i dhunuar ata dhe pasi i kanë lënë pa ndjenja, i kanë vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin këta 2 shtetas.

2 shtetasit e dëmtuar kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e shtetases së moshuar dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve H. B. dhe G. B., si dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasit D. K.