Botë e Çuditshme Design

Dikur resorte të famshme, sot të shndërruara në godina “fantazmë”…

Dikur ishin resortet më të famshme të Polonisë komuniste, por sot janë shndërruar në “godina fantazmë”. Për këtë arsye, fotografi Marcin Wojdak, po shëtit vendin e tij për të fotografuar dhe risjellë në vëmendjen e autoriteteve atë që ai e konsideron një pjesë të historisë polake.

Të ngritura rreth viteve 1950 e më vonë, këto struktura moderniste u ndërtuan si pjesë e një plani socialist për të mundësuar pushimin e merituar për të gjithë klasën punëtore, njësoj si kampet e punëtorëve që funksiononin në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës.

Pas rënies së komunizmit ne Europë në fund të viteve 1980, këto resorte u lanë në harresë.

Fotografi Wojdak tha se:

Sot do të ishte shumë e vështirë të merrje leje ndërtimi për këto objekte në këto vende të mrekullueshme. Shumë prej tyre janë ndërtuar buzë liqeneve, në bregdet apo në male. Këto janë muze të hapur që kushdo mund t’i vizitojë për të mësuar më shumë për një epokë të harruar, që ndryshon tërësisht nga grupi i vlerave kapitaliste që kemi sot.

Ndërkaq, ju shuajmë një kuriozitet. Sot hoteli i parë lundrues në botë gjendet i rrënuar në një port të Koresë së Veriut, një zonë e kufizuar që ndan dy Koretë. Porti mendohet se është ndalesa e fundit e këtij hoteli që nisi lundrimin e tij 30 vjet më parë. Hoteli lundrues ishte ideja e Doug Tarca, një zhytës profesionist dhe sipërmarrës me origjinë italiane që jetonte në Townsville, Australi.

Ai u hap zyrtarisht më 9 mars 1988 dhe kushtoi rreth 100 milionë dollarë. I vendosur në  Parkun Detar të Koraleve, hoteli ishte i siguruar me shtatë spiranca të mëdha, të pozicionuara në mënyrë të tillë që të mos dëmtonin gumën koralore. Veç kësaj, mbetjet dhe ujërat e zeza nuk derdheshin në oqean, duke kufizuar kështu ndotjen mjedisore.