Aktualitet

Dita Botërore e Monumenteve dhe Siteve, sot hyrja falas në parqet arkeologjike!

Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, sot vizitorët do të kenë mundësi të vizitojnë falas të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike të vendit tonë. Këtë vit, kjo ditë i kushtohet mbrojtjes së klimës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti:

Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, që këtë vit i dedikohet mbrojtjes së klimës. Një ditë për të reflektuar mbi dëmet që mund t’i shkaktoheshin monumenteve për shkak të ndryshimeve klimatike. Fati i tyre varet vetëm nga sjellja jonë karshi natyrës. Sot, hyrja është e lirë në parqet arkeologjike!

Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë jo vetëm pasuritë e trashëgimisë kulturore, por të marrin pjesë edhe në aktivitetet që do të zhvillohen pranë tyre, si ekspozita fotografike, promovime librash, koncerte, trajnime dhe gjithashtu leksione të hapura.

Vizitorët dhe turistët e huaj mund të vizitojnë monumente kulture e site, si atraksione turistike dhe historike, që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin. Gjithashtu, turistët mund të vizitojnë disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos, etj.

Muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike gjatë vitit 2018 kanë mirëpritur 378 mijë turistë vendas e të huaj.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve shënohet prej vitit 1983, kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.

Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë. Në këtë ditë ofrohet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, ruajtur, restauruar, rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi.