Bota

Dita e dytë e votimit për presidencialet në Rusi/Arrestime për akte vandale në vendvotime!

Për të dytën ditë radhazi, rusët po votojnë në zgjedhjet presidenciale, gjatë të cilave pati protesta sporadike nga disa qytetarë, të zemëruar me procesin e përgatitur për t’i “dhuruar” presidentit Vladimir Putin një tjetër mandat 6-vjeçar në pushtet.

Mbi një e treta e 110 milion qytetarëve rusë me të drejtë vote, dje votuan fizikisht dhe online në ditën e parë të zgjedhjeve treditore në Rusi. Shifra u dha nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë (KQZR), pas mbylljes së qendrave të votimit në rajonin perëndimor të vendit, Kaliningard.

Votimi rifilloi sot në Lindjen e Largët të Rusisë dhe do të vazhdojë në të 11 zonat kohore të vendit, si dhe në katër rajone të Ukrainës e që Moska i aneksoi jashtëligjshëm gjatë pushtimit të vendit fqinj, që nisi në shkurt 2022.

Disa qytetarë rusë nuk e kanë fshehur zemërimin me sundimin autoritar të Putinit në ditën e parë të zgjedhjeve, duke vandalizuar kuti të votimit. U raportua edhe për të arrestuar dje. Fitorja e Putinit është e sigurt dhe ai do ta zgjasë mandatin për gjashtë vjet të tjera.

Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në azil apo nuk jetojnë më, rezultati i zgjedhjeve dihet tashmë. Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës, por është bërë edhe më e ashpër.

Gati një muaj para zgjedhjeve, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime me burg, për vepra të cilat cilësoheshin si të motivuara politikisht.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të “firmave të pavlefshme të përkrahësve” në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial. Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata e Lartë e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme. Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars.