Aktualitet

Dorëhiqet kreu i PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferaj!

Kryetari i Partisë Demokratike për Durrësin, Ferdinand Xhaferaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Luan Hoti do të jetë kryetari i ri i PD-së në Durrës.

Në vend të tij, është emëruar Luan Hoti, i cili mbante postin e sekretarit të degës të Partisë Demokratike.

Sipas burimeve nga PD, Xhaferaj ka dorëzuar dorëheqjen që në muajin korrik, kjo në bazë të rregullores e cila përcakton se cilido kryetar dege që kandidon për deputet, s’mund të ushtrojë më funksionin e kryetarit të degës, teksa është firmosur tani nga kreu i PD.

Hoti është emëruar në këtë detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të demokratëve në Durrës duke zëvendësuar kështu deputetin Ferdinand Xhaferaj .

Kjo lëvizje në strukturat e PD Durrës, vjen ndërsa selia blu është përfshirë nga një krizë e thellë identiteti, me dy drejtues historikë të saj që sulmojnë njëri tjetrin.

Më herët, ashtu siç e kishte paralajmëruar, ish-kryeministri Sali Berisha hyri në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i pavarur, pas vendimit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, deri në sqarimin e pozicionit të tij në lidhje me vendimin e SHBA-ve për shpalljen “non grata”.

Ish-kryeministri Berisha ishte i shoqëruar vetëm nga tre deputetë, të cilët e shoqëruan dje gjatë gjithë ditës që nga shtëpia deri në Parlament. Bëhet fjalë për deputetët demokratë, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Tritan Shehu, të cilët së bashku me Berishën hynë me vonesë në Parlament, për shkak se në hyrje të Kuvendit, lideri historik i së djathtës u prit nga dhjetëra mbështetës. Këta të fundit ishin shpërndarë në dy krahë, ku shumica ishin pozicionuar tek sheshi përballë Parlamentit në mbështetje të Berishës, ndërsa një pjesë ishte në hyrje të selisë blu.

Më konkretisht, simpatizantë të Sali Berishës, të mbledhur në hyrjen kryesore të Kuvendit të Shqipërisë, kanë lëshuar thirrje kundër Lulzim Bashës pas përjashtimit të ish-kryeministrit nga grupi parlamentar i PD.

“Tradhtar, poshtë Amerika, poshtë Edi Rama”, kanë qenë disa prej thirrjeve të tyre.

Ndërsa nga ana tjetër mbështetës gjithashtu të Berishës, i prenë rrugën kryedemokratit Basha pasi doli nga selia e Partisë Demokratike për të shkuar në Kuvend, duke shpërthyer në kore kundër tij. “Po pse mo Lul pse”, “mos e bëfsh pikën e hajrit”, “turp, o i degjeneruar”, ishin disa nga thirrjet e simpatizantëve të Berishës kundër Bashës.