Aktualitet

Dosja ‘184’/ Nis seanca e parë gjyqësore për katër të pandehurit në Dibër!

Lidhur me akuzat për shit-blerje të votave, sot në Dibër zhvillohet e para seancë gjyqësore e dosjes së famshme ‘184’ për të cilën palët politike përplasen prej tre vitesh. Hetimet përfunduan para një muaji nga Prokuroria e Dibrës e në rolin e kallëzuesit sot në sallën e gjyqit është i pranishëm një përfaqësues i PD-së.  Listën e të pandehurve e kryeson Robert Aga, ish shef komisiariati i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka vënë uniformat blu në funksion të një subjekti politik, në rastin konkret maxhoranxës socialiste.

Drini Gjeci, ish drejtor i Arsimit, do të përgjigjet para drejtësisë për shpërdorim detyre, pasi kanoste mësuesit se nëse nuk votonin në favor të kandidatit të mbështetur nga maxhorancxa, do t’i largonte nga detyra. Madje në një rast, sipas asaj që thuhet në dosje ai ka firmosur për shkarkimin e një mësuesi nga puna. Nuri Meda, administrator i Njësisë Administrative Tomin akuzohet për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve.

Në kundërshtim me ligjin ai ka dëmtuar interesat e qytetarëve, pasi ka përjashtuar 39 familje nga skema e ndihmës ekonomike, vetëm për shkak të bindjeve politike, pa verifikuar nëse i plotësonin ose jo kriteret për të qenë pjesë e skemës. Edhe Hasan Hoti nga njësia administrative Lurë akuzohet se ka kanosur zgjedhësit me qëllim që të votonin për kandidatinpër kryebashkiak i Aleancës për Shqipërinë Europiane

Kujtojmë se para se të mbërrihej në këtë ditë Dosja 184 kaloi një ‘ping pong’ mes Krimeve të Rënda e Akuzës në Dibër derisa kjo e fundit pranoi ta hetonte.