Aktualitet Politikë

Dosja për Berishën/ GJKKO i dërgon me postë njoftimin e vendimit, ish-kryeministri e refuzon!

Avokatët mbrojtës të Sali Berishës nuk u paraqitën këtë të hënë në sekretarinë e Gjykatës Anti Korrupsion për të marrë dy vendime gjyqësore për ish-kryeministrin.

Gjykata ka vendosur t’i dërgojë këto dy vendime përmes postës, në përpjekjen e saj të fundit, duke qenë se dosja ka ngecur në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar nëpërmjet shërbimit postar deftesat e komunikimit për njoftimin e personit nën hetim z. S. B. pranë selisë së PD-së dhe në adresën e shtëpisë, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Njoftimi është kthyer me nënshkrimin ‘Refuzuar’. Gjithashtu u dërguan dëftesat e komunikimit edhe avokatëve mbrojtës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme, thuhet në njoftimin e GJKKO.

Njëri nga vendimet i përket datës 26 tetor, në të cilin gjyqtarja Irena Gjoka shpalli detyrim paraqitje në prani të një avokati të caktuar falas nga shteti. Vendimi i dytë i takon datës 6 nëntor, në të cilin gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve, duke theksuar se nuk është shuar masa e sigurisë ndaj Berishës dhe nuk ekzistojnë kushtet as për të shuar masën ndaj Jamarbër Malltezit.

Nëse as në këtë rast s’ka reagim nga ana e Berishës dhe avokatëve, GJKKO do ta konsiderojë si një refuzim, raporton gazetarja Anila Hoxha, dhe brenda pesë ditëve do të bëjë referimin e dosjes nga sekretaria në në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Sali Berisha ka refuzuar të zbatojë vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur më 6 nëntor, pranë SPAK te oficeri i Policisë, ndërsa data e dytë e caktuar nga gjykata, është 20 nëntori, e hëna e tretë e nëntorit, ku pritet të shihet se çfarë do të ndodhë nëse Berisha refuzon sërish, dhe nëse prokurorët do detyrohen për masë më të ashpër, siç është arresti me burg.

Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”. Por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.