Rajoni

Liberalizimi i vizave për Kosovën, ministrat e BE-së miratuan edhe një hap!

Sot në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel, ministrat e 27 vendeve të Bashkimit Europian miratuan vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk kishte diskutime, pasi miratimi ishte dhënë më herët në një takim të ambasadorëve. Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të Unionit dhanë dakordësinë lidhur me rastin e Kosovës.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS) apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024. Deri para pak kohësh besohej se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor 2023, por afati në fjalë u shty për vitin e ardhshëm.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi në vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të ETIAS-it. Kur ky sistem të hyjë në fuqi, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, paraprakisht duhet që të regjistrohen përmes tij dhe më pas marrin një autorizim, dokument i vlefshëm për tre vjet.

Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 e mbi 70 vjeç mund ta përfitojnë falas. Diplomatët në Bashkimin Europian thonë se aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.

Burime në BE pohojnë se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të Bllokut Europian e që përfundon në datën 30 qershor.

Vendimi do të jetë gati për të hyrë në fuqi dhe nëse jo më herët, atëherë më 1 janar të vitit 2024.

Kryeministri Rama uron Kosovën pas vendimit të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave.

Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës!