Aktualitet Politikë

Drejtorët e policisë në 32 vjet pluralizëm, Rama nuk gjen qetësi, 4 shkarkime gjatë qeverisjes!

Gledis Nano u shkarkua këtë të mërkurë nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke qenë i 18-ti drejtues policie në harkun e 32 viteve nga rrëzimi i regjimit komunist. Gledis Nano ishte i katërti drejtues që shkarkohet nën qeverisjen socialiste, pas Artan Didit, Haki Çakos e Ardi Veliut.

Drejtori i parë i Përgjithshëm i Policisë, i cili punoi në të dyja sistemet, atë komunist dhe demokratik është Dilaver Bengasi prej 1 janarit 1987 deri më 17 korrik të 1990-ës.

Fadil Cani i zgjedhur nga Qeveria Nano u hoq nga detyra me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet. Kryepolici i parë i vendosur nga Partia Demokratike është Astrit Mehaj, i pasuar më pas nga Sabri Jacaj dhe Agim Shehu.

Drejtorët “socialistë” të Policisë rikthehen me emërimin e Sokol Barajt, Besnik Bregut, Hasan Ahmetajt, Veton Gjolikut, Veli Myftarit, Bilbil Memës dhe Bajram Ibrajt, të gjithë këta në harkun e viteve 1997-2005.
Kur mori pushtetin në vitin 2005, Sali Berisha pranoi të punonte për dy vite rresht me kreun e policisë së shtetit që i kishte lënë Fatos Nano. Më pas Bajram Ibraj u zëvendësua nga Ahmet Prençi, i cili i la detyrën Hysni Burgajt.

Dy vjet Drejtues i Përgjithshëm i Policisë ishte Ahmet Prençi, ndërsa për 4 vitet e mandatit të dytë, policinë e qeverisjes demokrate, e drejtoi Hysni Burgaj.

Menjëherë sapo mori pushtetin në vitin 2013, Edi Rama e shkarkoi drejtorin e policisë të trashëguar nga pushteti i demokratëve. I besuari i parë i Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, ishte Artan Didi.
Pas sulmeve të opozitës për kanabizimin e vendit, kryeministri vendosi të largojë Didin dhe të provojë një figurë të re në krye të policisë. Haki Çako i drejtoi uniformat blu për rreth 3 vjet, por në fillim të vitit 2018, kryeministri i parehatuar me performancën e policisë, vuri në krye Ardi Veliun, me të cilin u divorcua brenda dy viteve.

Në tetor të vitit të shkuar, kreu i qeverisë, eksperimentoi një format tjetër kryepolici. Gledi Nano, i servirur më herët në publik si polici modern e inteligjent me suksese të dallueshme si drejtues anti-terrorit, u ul në karrigen më të lartë të policies, karrige të cilën e braktisi brenda 10 muajve në detyrë.

Burimi: Gazeta Shqip