Bota Rajoni

Droni ushtarak i rrëzuar në Kroaci nuk është i Ukrainës!

“Nuk është i Ukrainës droni ushtarak që mbrëmë rreth orës 23:00 u përplas në një zonë të gjelbër në Zagreb”. Kjo u theksua nga Kievi zyrtar, pasi qeveria kroate pyeti atë ukrainase, nëse i përkiste Ukrainës.

Këshilltari i ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Markijan Lubkjivski, i tha portalit kroat Jutarnji.hr se “droni që u rrëzua në Zagreb, nuk është ukrainas”. Pritet edhe një deklaratë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës.

Qeveria kroate njoftoi sot se objekti që u përplas në një zonë të gjelbër në Zagreb është dron ushtarak i prodhimit sovjetik, i ardhur në hapësirën e Kroacisë nga Rumania, përmes Hungarisë. Droni u rrëzua në afërsi të konviktit të studentëve “Stjepan Radiç”, në pjesën jugore të Zagrebit. Nuk ka të lënduar, ndërsa u dëmtuan disa makina.

Në një konferencë shtypi, presidenti kroat, Zoran Milanoviç tha se “ky dron fluturoi mbi Kroaci për rreth 7 minuta.

Ngjarja po trajtohet si incident serioz. Vlerësojmë se nuk drejtohej kundër Kroacisë dhe se bëhet fjalë për një incident, por po hetohet. Mbi të gjitha, më intereson të di se si është e mundur që një dron jo i sofistikuar të kalojë rreth një orë në hapësirën ajrore të shteteve të NATO-s e të mos vërehet nga askush?

Hapësira ku u rrëzua droni:

Presidenti kroat Milanoviç bëri të ditur se “droni është i madhësisë së avionit e peshon rreth 6 tonë”.

Droni i ardhur nga hapësira e Ukrainës, u rrëzua në Zagreb kur iu mbarua karburanti.

I pyetur se nëse vërtetohet se bëhet fjalë për një dron rus nën kontrollin e ukrainasve, a do të bisedojë me ukrainasit apo ambasadorin për këtë çështje, presidenti i Kroacisë deklaroi:

Mendoj se nuk ka nevojë! Atje është luftë dhe gjërat nuk janë nën kontroll. Për këtë askush nuk ëndërronte. Nuk ka të vdekur e të lënduar. Vetëm shpresoj që kjo të mos ndodhë më!

Sipas të dhënave të deritashme, droni ka hyrë në hapësirën ajrore të Kroacisë, nga lindja në perëndim, pra nga hapësira ajrore hungareze me shpejtësi 700 kilometra në orë në lartësinë 1.300 metra.

Për dronin foli edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, në një takim të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.

Bisedova me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili më informoi se droni hyri në hapësirën ajrore hungareze prej Rumanisë. Sipas asaj që kemi tani si informacion, është një dron i prodhimit rus, nuk dihet nëse ka qenë në pronësi të ushtrisë ruse apo ukrainase. Dihet që ka ardhur në Kroaci nga Hungaria dhe në Hungari nga Rumania. Dihet që ka fluturuar disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb.

Dëshmitarët thanë se fillimisht dëgjuan një shpërthim të madh që tronditi tokën, më pas një aromë të keqe.