Bota

Duhet të kalonin disa ditë që kompania “OceanGate” të merrte këtë vendim drastik…

Siç e dimë nëndetësja e kompanisë OceanGate shpërtheu dhe në këtë mënyrë shkaktoi vdekjen e pesë personave. Por mesa duket se organizatorët e “udhëtimit” nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga këto ekspedita. Në faqen zyrtare të OceanGate ende mund të shihnit oferta për udhëtime në rrënojat e Titanikut, si dhe “ekspedita” të tjera.

Ndërkaq, vetëm së fundmi OceanGate ka njoftuar se po pezullon të gjitha operacionet e eksplorimit dhe komerciale pas vdekjes së pesë turistëve muajin e kaluar, mes tyre dhe CEO i kompanisë. “OceanGate ka pezulluar të gjitha operacionet e kërkimit dhe komercialit”,- thuhet në krye të faqes zyrtare të kompanisë.

Prej shumë kohësh aventurierët kanë paguar shuma marramendëse për të vizituar rrënojat e Titanikut, duke marrë parasysh edhe faktin se kjo ekspeditë mund të shndërrohet në një tragjedi. Duhen 8 orë dhe 250.000 dollarë për të arritur në atë që ka mbetur nga anija e famshme e Titanikut, rreth 611.55 km larg bregut të St.John’s, Newfoundland.

Më shumë se një shekull pas fundosjes së anijes, interesi për Titanikun mbetet i jashtëzakonshëm. Rikujtojmë, se mediat kanë bërë publik e-mailin që një nga ish-punonjësit e Ocean Gate i kishte dërguar një kolegut të tij duke ngritur shqetësime rreth sigurisë së nëndetëses Titan. Në emailin e dërguar David Lochridge i tregonte kolegut të tij se ishte i shqetësuar se CEO i kompanisë do të vriste veten dhe të tjerët në përpjekje për të kënaqur egon e tij.