Sport

Duka flet për mediat italiane: “Tifozët tanë do e ‘skuqin’ Gjermaninë…“

Viti 2023 pa dyshim që do të mbahet mend gjatë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kualifikimi i Kombëtares tonë në kampionatin europian si dhe zgjedhja e tij si zëvëndës president i Uefa-s, ishin lajme që gëzuan shqiptarët kudo nëpër botë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka gjatë një interviste për “Sportpress24” u ndal tek kualifikimi i kombëtares shqiptare, ecuria e futbollit të vendit të tij, vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe padyshim fazën finale të Kampionatit Europian për moshën U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2025.

Mezi pres që lojtarët, stafi e tifozët ta shijojnë pjesëmarrjen në Euro, të shijojnë suksesin e tyre. Futbollistët nuk duhet të kenë asnjë lloj ngarkese, ata e kanë bërë detyrën na kanë bërë krenarë me pjesëmarrjen në Euro, atë që nuk e kishim provuar e shijuar kurrë në histori po e shijojmë për herë të dytë në harkun e tetë viteve. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do e “skuqin” Gjermaninë, do na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën. Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Europës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kompeticionit.