Aktualitet

Durrës, nis stërvitja ushtarake “Defender Europe 21″/ ceremonia bën bashkë Metën e Ramën!

Në Portin e Durrësit nisi sot “Defender Europe 21”, stërvitje ushtarake shumë-kombëshe që zhvillohet në disa shtete të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.

Qindra mjete luftarake amerikane kanë zbarkuar në portin më të madh detar të vendit, një dislokim që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë. Aty do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

E organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë, me pjesëmarrjen e mbi 28 mijë trupave, stërvitja zhvillohet në 7 baza të ndryshme në vendin tonë, përfshirë Bizën, Kuçovën e Zall Herrin. “Defender Europe 21” që u çel sot pritet të zgjasë deri më 9 Qershor. Shqipëria është mes vendeve mirëpritëse dhe Forcat tona të Armatosura përfaqësohen me rreth 1 mijë trupa.

Ceremonia bëri bashkë Presidentin e Republikës, Ilir Meta e kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij, Kryetari i Shtetit deklaroi:

Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ndihet shumë e vlerësuar për faktin që i është besuar roli mikpritës dhe jam i bindur që forcat tona do ta justifikojnë plotësisht. Kjo stërvitje është ngjarje të madhe historike. Ky është rast i shkëlqyer për të njohur më mirë mjedisin rajonal. Pjesëmarrësit do të mbeten të befasuar nga mikpritja më mbrësëlënëse e shqiptarëve.

Kreu i Qeverisë, Rama u shpreh se “ky është moment historik që na mbush me krenari e përgjegjësi”.

Do qëndrojmë krah jush si një vend që nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj Aleance por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë Aleancë unikale për botën, ne dëshirojmë të jemi gjithnjë e me të denjë e më të vyer brenda kësaj aleance. Stërvitje unikale për gjithë historinë e marrëdhënieve tona që shpresoj se do të pasohet nga të tjera, për t’i dhënë gjithë rajonit një mesazh të qartë!

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim falenderoi Shqipërinë për mbështetjen që gjithmonë i ka dhënë SHBA-ve e NATO-s.

Roli drejtues i Shqipërisë në këtë stërvitje është domethënës dhe roli i saj në aleancë vetëm rritet. Shqipëria është mikpritëse e të tilla aktiviteteve më shumë se çdo vend tjetër në rajon dhe kjo gjë nuk është rastësore. Shqiptarët kanë luftuar krah më krah me ne në misionet e Aleancës. Kurrë nuk do t’i harrojmë këto sakrifica dhe do të jemi mirënjohës!