Aktualitet

Dy avionë Canadair CL-415 po punojnë për shuarjen e flakëve në Darëzezë!

Dy avionë Canadair CL-415 po punojnë për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit në Darëzezë të Fierit. Lajmin e bëri të ditur, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ndau foto nga operacioni për shuarjen e zjarrit.

Presim që shumë shpejt, bashkë me punën nga terreni të 20 efektivëve të MZSH Fier, 40 forcave të FA dhe mjeteve të përfshira në këtë aksion, vatra të izolohet tërësisht.

Ditën e djeshme, në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, menjëherë Greqia iu përgjigj kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrat e zjarrit në Pishë Poro e në Darëzezë të Fierit.

Në pyllin e Darëzezës, flakët u përhapën të favorizuara edhe nga era e fortë. Në terren u angazhuan me dhjetëra forca për shuarjen e zjarrit. Dje aty ishte edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Që dje, Balla njoftoi se për zjarret në Fier është kërkuar ndihma e Emergjencave Civile të BE-së.

Pas konsultimit me Forcat e Armatosura, me Emergjencat Civile e me forcat zjarrfikëse jo vetëm të Qarkut Fier, kemi konkluduar se është e pamundur që kjo situatë të përballohet vetëm me makinat apo forcat tona zjarrfikëse, të cilët gjej rastin t’i falënderoj. Ata kanë vendosur jetën në rrezik, por tani jemi në fazën që vetëm me forcat tona nuk e përballojmë dot këtë gjendje të vështirë.

Kjo është një zonë që për shkak të mungesës së rrugëve e ka bërë të vështirë ndërhyrjen. Do të na duhet që pas kësaj situate, në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, të bëjmë të mundur një rrjet rrugësh për t’i dalë përpara ngjarjeve të ngjashme.

Kjo është një zonë ku pjesa më e madhe e këtyre pronave janë private. Keqardhja ime më e madhe, por kjo i takon policisë është që pronarët e tyre nuk janë dukur për asnjë moment.