Aktualitet

Zjarret në Fier, ministri Balla: Kërkuam ndihmën e Emergjencave Civile të BE-së!

Marrin përmasa të mëdha zjarret në zonat e pyllëzuara të Pishporos e të Darëzezës në Fier. Prej gjashtë ditësh, autoritetet luftojnë me flakët që favorizohen nga era e fortë duke vështirësuar operacionin për t’i vënë nën kontroll. Në terren ishte ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili vuri në dukje se bëhet fjalë për një sërë vatrash zjarri.

Dua të ndaj me ju vendimin që sapo kemi marrë, bashkë me ministrin e Mbrojtjes dhe me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë të Mbrojtjes Civile për të depozituar zyrtarisht kërkesën pranë Agjencisë Europiane dhe Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile ku Shqipëria është anëtare prej vitit të kaluar. Kjo gjë sapo ka ndodhur e shpresoj që orët në vijim apo sipas procedurave të tyre, të kemi një mbështetje nga forcat e vendeve fqinje, kryesisht Italisë apo Greqisë. Por, kjo është vendimmarrje që i takon Mekanizmit, në mënyrë që të mundësojmë një ndërhyrje nga ajri.

Vendosja në lëvizje e Mekanizmit është një procedurë që i takon Komisionit Europian, por natyrshëm që duke qenë se bëhet fjalë për një emergjencë kaq të madhe, shpresoj që mbështetja nga vendet fqinje apo nga Mekanizmi, të mos vonojë.

Pas konsultimit me Forcat e Armatosura, me Emergjencat Civile e me forcat zjarrfikëse jo vetëm të Qarkut Fier, kemi konkluduar se është e pamundur që kjo situatë të përballohet vetëm me makinat apo forcat tona zjarrfikëse, të cilët gjej rastin t’i falënderoj. Ata kanë vendosur jetën në rrezik, por tani jemi në fazën që vetëm me forcat tona nuk e përballojmë dot këtë gjendje të vështirë.

Kjo është një zonë që për shkak të mungesës së rrugëve e ka bërë të vështirë ndërhyrjen. Do të na duhet që pas kësaj situate, në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, të bëjmë të mundur një rrjet rrugësh për t’i dalë përpara ngjarjeve të ngjashme.

Kjo është një zonë ku pjesa më e madhe e këtyre pronave janë private. Keqardhja ime më e madhe, por kjo i takon policisë është që pronarët e tyre nuk janë dukur për asnjë moment.