Bota

Dy studime të reja zbardhin misterin mbi origjinën e COVID-it!

“Një treg kafshësh në qytetin Wuhan të Kinës ka qenë epiqendra e pandemisë së koronavirusit”, sipas dy studimeve të reja që janë publikuar në revistën shkencore, Science. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse sëmundja u transmetua në mënyrë natyrale nga kafshët te njerëzit apo ishte rezultat i një aksidenti në laborator, ky konstatim i ri konsiderohet shumë i rëndësishëm për shmangien e pandemisë së radhës dhe ruajtjen e jetës së miliona njerëzve.

Në hulumtimin e parë, u analizua përhapja gjeografike e rasteve në dhjetor të vitit 2019, duke treguar se të infektuarit e parë janë të lidhur me tregun e kafshëve në Wuhan të Kinës. Ndërkohë, në studimin e dytë u analizuan të dhënat e evoluimit të virusit, duke dalë në përfundimin se “koronavirusi nuk ka qarkulluar në masë të madhe mes njerëzve, para nëntorit të vitit 2019”.

Michael Worobey nga Universiteti i Arizonas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një studiues i specializuar, i cili ka ndihmuar në hartimin e të dy raporteve, i pati kërkuar komunitetit shkencor që të ishte më i hapur ndaj idesë që koronavirusi ka dalë nga laboratori.

Por, duket se gjetjet e fundit e kanë shtyrë shkencëtarin që të besojë se “nuk është e mundur që virusi të ketë qarkulluar në mënyrë tjetër, përveçse përmes tregtimit të kafshëve, në tregun e tyre në Wuhan”. Ndonëse edhe studimet e kaluara, më shumë përkrahnin teorinë e tregut të kafshëve, vazhdimisht shkencëtarët kanë qenë në kërkim të të dhënave të tjera për të vërtetuar origjinën.

Për koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen e COVID-19/ës, për herë të parë u raportua në dhjetor të vitit 2019, në Wuhan të Kinës. Nisur nga shtimi i ndjeshëm i rasteve thuajse në të gjithë botën, pa kursyer as Shqipërinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e pati shpallur koronavirusin si pandemi, më 11 mars të vitit 2020. Deri tani janë regjistruar mbi 6 milion viktima nga ky virus.