Aktualitet

Efektivi i arrestuar i RENEA-s dyshohet për lidhje me grupin e Ervis Martinajt!

Efektivi i Repartit RENEA, i arrestuar dje me 113 mijë euro në automjet, dyshohet se është përfshirë në trafikimin e drogave të forta në Tiranë, Shkodër e Elbasan, si dhe në mbrojtjen e njerëzve të Ervis Martinajt. Zyrtarisht, nuk ka detaje nga autoritetet policore, por burime pranë tyre bëjnë të ditur se dy orë para se të arrestohej, Altin Morina ishte në Elbasan ku dyshohet se dorëzoi shuma parash te persona të skeduar. Në dëshminë e tij u shpreh:

Paratë janë të ligjshme e vijnë nga një biznes. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia tek një mik. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme e nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal.

Po të njëjtat burime saktësuan se ka dyshime të forta për lidhje të efektivit special me grupin e Ervis Martinajt, dyshime të përforcuara para 8 ditësh, kur ishte parë në praninë e një të afërmi të Martinajt, duke e mbrojtur nga ndonjë atentat i mundshëm.

Altin Morina u arrestua dje në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Ai dyshohet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Fshehje të të ardhurave”, si dhe “Shpërdorim detyre”.

Falë inteligjencës informative u vu re që efektivi i RENEA-s, Altin Morina, qarkullonte me automjet tip “Audi” dhe me vete kishte sasi të konsiderueshme parash.

Menjëherë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan e finalizuan operacionin policor të koduar “Fast”. Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar sëbashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special RENEA.

Në ndejtësen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund. Nga numërimi rezultoi se në qesen e plasmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.000 lekë të rinj e 80 paund, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave”  dhe “Shpërdorimi i detyrës”.