Showbiz

Ellen DeGeneres rrëfen për herë të parë për depresionin dhe orientimin seksual

Komediania dhe moderatorja e famshme Ellen DeGeneres ditën e kaluar ka dhënë një intervistë radiofonike për emisionin “Armchair Expert” nga Dax Shepard.

Për herë të parë që nga viti 1997 ajo ka rrëfyer për depresionin që kaloi pasi pranoi publikisht që është gay. Vendimi për të dalë hapur mbi orientimin e saj seksual jo vetëm që thuajse i shkatërroi karrierën por gjithashtu nuk u ndje e mirëpritur në komunitetin LBGT.

Përfaqësuesit e LGBT i kthyen kurrizin pasi pretendonin se Ellen nuk kishte bërë asgjë të mirë për këtë komunitet. Gjithashtu miku i saj Elton John asokohe u shpreh për median amerikane se moderatorja ishte thjesht një qaramane lesbike e cila duhet të ndalojë së ankuari dhe të bëjë humor.

Reagimet e miqve të saj dhe humbja e punës e bëri atë të kalonte një gjendje të rëndë depresioni. “Isha aq e humbur nga depresioni saqë natën nuk vija gjumë në sy, qëndroja zgjuar dhe vetëm shkruaja në letër mendimet e mia dhe pyesja veten përse të gjithë më kthyen kurrizin dhe nuk më lejuan të isha vetëvetja” -rrëfeu Ellen gjatë intervistës.