Aktualitet

EMCDDA: Shqipëria në hartën e trafikimit të heroinës nga Afganistani në Europë!

Shqipëria është pjesë e hartës ballkanike që trafikon heroinën nga Afganistani, përmes Iranit e Pakistani, sipas një raporti të fundit të Qendrës Europian të Monitorimit të Përdorimit të Drogave (EMCDDA). Për vendet jo të BE-së, të identifikuara si ‘origjinë’ ose ‘tranzit’ të heroinës të kapur në Bashkimin Europian për periudhën 2018-2021, Shqipëria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar janë të vetmet vende të Europës të përfshira në skemë. Sipas raportit, Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike.

Rruga ballkanike nga Afganistani përmes Iranit, Turqisë dhe vendeve të Ballkanit përfaqëson rrugën më të shkurtër e më të drejtpërdrejtë drejt tregjeve të konsumit europian. Në këtë rrugë, heroina zakonisht hyn në BE në pikat e kalimit kufitar tokësor në Bullgari ose Greqi.

Ky është një korridor i krijuar për trafikimin e heroinës në BE dhe të anhidridit acetik në drejtim të kundërt (Anhidridi acetik është kimikati kryesor që përdoret për prodhimin e heroinës).

Njësitë e zbatimit të ligjit e identifikojnë Iranin si një qendër të rëndësishme për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës ballkanike, ku fshihen sasi të mëdha të drogës, të përfshira në ngarkesa të ligjshme e të fshehura në automjete, që më pas trafikohen drejt BE-së nëpërmjet Turqisë.

Në kufi me dy shtete anëtare të BE-së, Turqia është një tjetër vend kyç në rrugën ballkanike. Megjithëse konfiskimet e heroinës u ulën gjatë krizës së COVID-19, Turqia vazhdoi të konfiskonte sasi të konsiderueshme heroine, duke raportuar një rekord prej 22.2 tonësh në vitin 2021.

Nga Turqia, heroina dërgohet në BE përgjatë tre degëve të rrugës ballkanike:

dega jugore – tokësore përmes Greqisë dhe Shqipërisë ose duke përdorur metoda detare përmes Detit Mesdhe,

dega qendrore – përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë e Sllovenisë dhe në Itali ose Austri, kryesisht nga toka,

dega veriore – një rrugë tokësore nga Bullgaria në Rumani dhe më pas drejtpërsëdrejti në tregjet e konsumit në BE-në qendrore e perëndimore.

Sipas raportit, një pjesë e heroinës së kontrabanduar përgjatë degëve jugore dhe qendrore mund të devijohet për konsum lokal ose të ruhet përkohësisht në magazina në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përpara se të transportohet në tregjet e BE-së.

Raporti përshkruan tregun europian të heroinës (opioidi i paligjshëm më i përdorur), nga prodhimi dhe trafikimi, deri te shpërndarja e përdorimi.

Tregu i heroinës me pakicë në BE vlerësohet të ketë vlerë të paktën 5.2 miliardë euro në vit. Sasia e heroinës së kapur nga shtetet anëtare të BE-së mëse u dyfishua në vitin 2021 në 9.5 tonë, sasia më e lartë në 20 vjet kur u zbuluan ngarkesa të mëdha individuale në portet detare.

Përdorimi i paligjshëm i opioideve mbetet një shqetësim i madh në BE, duke qenë shkaktari për rreth tre të katërtat e mbi 6 mijë vdekjeve nga mbidoza të lidhura me drogën në vitin 2021.

Ka rreth 1 milion përdorues të opioideve në BE. Trafikimi dhe shpërndarja e heroinës është aktiviteti kryesor për disa rrjete kriminale që operojnë në BE, të cilat kanë infrastrukturë dhe kontakte të strukturuara. Ashtu si me llojet e tjera të drogës, abuzimi me strukturat legale të biznesit, pastrimi i parave dhe korrupsioni janë ndër faktorët kryesorë që mundësojnë tregun e paligjshëm të heroinës./Monitor