Aktualitet

Erjon Bani zgjidhet zv.kryetar i GJKKO-së, zëvendëson Irena Gjokën!

Irena Gjokës i mbaroi mandati si zv.kryetare e Gjykatës së Posaçme e në vend të saj, sot u zgjodh Erjon Bani. GJKKO-ja njofton se votuan nëntë gjyqtarë dhe Bani mori votat e gjashtë prej tyre. Ndërkaq, tre të tjera shkuan për kandidatin Erjon Çela, i cili garoi përballë tij. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, Ilir Rusi.

Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Gjyqtari Erjon Bani është zgjedhur sot zv.kryetar i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. GJKKO-ja njoftoi sot se Irena Gjoka është zgjedhur si zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 24 mars të vitit 2021.

Sipas akteve ligjore e atyre nënligjore, mandati i zëvendëskryetarit është trevjeçar e pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Për këtë arsye, gjyqtares Irena Gjoka i mbaroi mandati në datë 24.03.2024, pra një ditë më parë.

Për këto arsye, mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zhvilloi sot procedurën për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, Ilir Rusi.

Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për dy kandidaturat e paraqitura, konkretisht gjyqtarët Erjon Bani dhe Erjon Çela, në prani të nëntë gjyqtarëve.

Në përfundim, Erjon Bani, rezultoi i zgjedhur me gjashtë vota, si zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, Erjon Bani do të duhet që po ashtu të ushtrojë kompetencat e kryetarit të GJKKO-së, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.