Aktualitet

Escobar në Top Story: Berisha është e shkuara/Rrezik përdorimi i ndjenjave anti-amerikane për përfitime personale politike!

Gabriel Escobar, zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, i cili zhvilloi vizitë dy-ditore në Shqipëri dha një intervistë për emisionin Top Story në Top Channel me Grida Dumën. Ndërsa sqaroi arsyet e vizitës vuri në dukje se nuk ka lidhje me vendoret e 14 Majit, por e përshkroi si pjesë të konsultimeve të rregullta me aleatët e ngushtë, ku përfshihet Shqipëria.  Por, zgjedhjet lokale të pas një muaji ishin në fokus të intervistës.

Escobar: Unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin, jo me një parti e jo me një person. Në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të antikorrupsionit e të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa kandidatët e Sali Berishës janë pjesë e garës zgjedhore, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-kryeministri është “përfaqësues i së shkuarës”. Escobar përjashtoi çdo mundësi që t’i rishikohet statusi “non grata”.

Escobar: Pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por, unë do të thoja se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tij prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme të jashtëzakonshme e duhet të fokusohet te e ardhmja. Ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë.

Ndërkaq, zyrtari i Uashingtonit nuk komentoi çështjen McGonigal që është në hetim në Shtetet e Bashkuara, por foli për paratë ruse.

Escobar: Eshtë shumë e vërtetë se Rusia ndërhyn në zgjedhjet demokratike në të gjithë Europën, jo vetëm këtu, por edhe në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Ka njerëz që janë të gatshëm të pranojnë paratë ruse në emër të çuarjes përpara të agjendës së Rusisë, e cila nuk është pozitive për këtë pjesë të botës. Ne duhet të vazhdojmë ta diskutojmë këtë e të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin se cilat janë pritshmëritë dhe të ndajmë informacione kur e shohim atë çka Rusia po bën në këtë pjesë të botës, sepse ajo (Rusia) nuk ndan të njëjtat synime si Shtetet e Bashkuara dhe Europa për Ballkanin Perëndimor. Ne po përpiqemi të krijojmë përfshirje më të madhe. Ne po përpiqemi të krijojmë një rrugë që këto vende, përfshirë Shqipërinë, të bëhen anëtarë të organizatave transatlantike, përfshirë Bashkimin Europian. Rusia po bën pikërisht të kundërtën. Pra, ne jemi shumë skeptikë për çdo gjë që Rusia bën në sferat politike dhe ekonomike.

Gabriel Escobar ka mbrojtur Yuri Kim-in nga sulmet personale të Berishës, duke vënë në dukje se ambasadorja amerikane po bën, atë që Sekretari dëshiron të bëjë.

Nuk është diçka personale, është çështje politikash. Mendoj se të gjithë duhet ta njohin këtë.

Escobar: Mendoj se ekziston rreziku që ka njerëz që po përdorin ndjenjat anti-amerikane për përfitime personale politike dhe kjo nuk e ndihmon interesin tonë strategjik apo tuajin. Ndaj do të isha shumë, shumë dyshues për këdo që vë në lëvizje ose u jep shtysë linjave anti-amerikane, sepse gjithçka që kemi bërë, veçanërisht në dy vitet e fundit, ka qenë për të thelluar marrëdhëniet strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Shqipëria zë një pozicion shumë të privilegjuar në politikën tonë të jashtme. Jemi konsultuar me ju dhe keni qenë pjesë e pothuajse çdo ngjarjeje globale për shkak të partneritetit tuaj me Shtetet e Bashkuara. Ne jemi ndihmuar për të çuar përpara vlerat e synimet tona në Europë prej partneritetit tonë me Shqipërinë, jo vetëm në NATO apo Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe në mënyrë dypalëshe. Kushdo që predikon çfarëdolloj anti-amerikanizmi, në fakt nuk ka parasysh interesat e Shqipërisë./Top Channel