Showbiz

Eugent Bushpepa ja del, Shqipëria në finalen e ‘Eurovision’

Nata e parë e gjysmëfinales së festivalit Europian ishte e mbushur me shumë emocione për publikun shqiptar si brenda ashtu edhe jashtë kufinjëve të saj pasi për herë të parë në 12 vite, Shqipëria përfaqësohet nga një artist solo mashkull.

Ashtu siç pritej, Eugent Bushpepa tundi skenën madhështore në Lisbonë me këngën “Mall” me muzikë të vetë artistit. Shpallja e Shqipërisë si finaliste u kthye në një moment mbërthyes për Shqipërinë pasi renditja rastësore e renditi atë të 8-ën nga 10-të të tilla.

Në performancën e tij ai u shoqërua nga instrumentistët; Denis dhe Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe vokalistet Erinda Agolli e Greta Radovani. Kënga “ Mall” u prit me ovacione nga publiku i pranishëm duke rrëmbyer zemrat dhe simpatinë e tyre.

Në natën e parë të gjysmëfinales konkurruan 19 shtete ndërkohë që vetëm 10 prej tyre do të prekin finalen e madhe të 12-të majit ku gjithashtu përfshihet edhe këngëtarja shqiptare Eleni Foureira e cila përfaqëson Qipron me këngën “Fuego”, ndërsa Ermal Meta i cili përfaqëson Italinë me “Non Mi Avete Fatto Niente”, konkurron në gjysmëfinalen e dytë të 10-të majit.

Shtetet që kaluan gjysmëfinalen e parë të ‘Eurovision’:

Austria: Nobody But You nga Cesár Sampson
Estonia: La Forza nga Elina Nechayeva
Qipro: Fuego nga Eleni Foureira
Lituania: When We’re Old nga Ieva Zasimauskaitė
Izraeli: TOY nga Netta
Çekia: Lie To Me nga Mikolas Josef
Bullgaria: Bones nga EQUINOX
Shqipëria: Mall nga Eugent Bushpepa
Finlanda: Monsters nga Saara Aalto
Irlanda: Together nga Ryan O’Shaughnessy