Sport

Euro 2020, a do të luhet përsëri Belgjikë-Itali?

Po sikur Belgjikë-Itali të riluhej? Jo, asgjë zyrtare! Eshtë thjesht një peticion që ka marrë udhë në Belgjikë e deri tani ka mbledhur 3 mijë firma por asgjë serioze! Për belgët nuk ka shanse të vijojnë rrugëtimin në Europian, atë e meritoi Italia që në gjysmëfinalen e 6 korrikut do të përballet me Spanjën pasi më 2 korrik mundi Belgjikën 2-1.

Jo pa ironi, mbështetësit e Djajve të Kuq kërkojnë të kthehen në fushë për të luajtur sërish çerekfinalen me të kaltrit, sipas tyre, “Ta luajnë sfidën për ta humbur përsëri!”

Referuar Italisë, në peticion përshkruhet me shaka:

Humbëm kundër më të fortëve por qëllimi është tregojmë se deri në çfarë pike ishin më të fortët!

Përtej shakave, në të vërtetë tifozët belgë nuk e kanë aspak me Italinë, thjesht duan të tallen me Francën. Arsyeja? Peticioni që bëri xhiron e botës e ku francezët kërkuan të riluanin ndeshjen me Zvicrën e Granit Xhakës të humbur me penallti në Bukuresht çka i çoi në skualifikim.

Ata ngritën pretendimin se gjatë penalltive, portieri zviceran Sommer kishte kapërcyer vijën kur duhej të gjuante Mbappé por pretendimet nuk u konfimuan nga verifikimet.

Tani kemi peticionin e Belgjikës por për qëllime plotësisht të tjera, ndaj mos e merrni seriozisht!