Sport

“EURO 2024”, Laçi dhe Muçi: E kemi detyrim fitoren ndaj Moldavisë!

Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive për dy takimet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Që prej ditës së hënë, kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin në “Shtëpinë e Futbollit” nën urdhrat e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo si edhe të stafit kuqezi.

Në prag të sfidës së parë ndaj Moldavisë e që do të luhet në stadiumin “Air Albania”, të shtunën e javës së ardhshme, pra më 17 qershor, dy futbollistët e Kombëtares, Qazim Laçi e Ernest Muçi dolën në një konferencë për media, ku iu përgjigjën edhe interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Mesfushori kuqezi, Qazim Laçi u shpreh se “skuadra është gati për të dyja sfidat” që ka Shqipëria në këtë muaj, ndërsa shtoi se ndihet shumë krenar që ka marrë një ftesë nga trajneri Silvinjo.

Ndër të tjera, Laçi vuri në dukje se Kombëtares shqiptare nuk i mungon asgjë, ndërsa nënvizoi se rivalët që Shqipëria ka përballë nuk janë të dobët. “Detyrim” e konsideroi mesfushori shqiptar fitoren ndaj Moldavisë e po ashtu nuk mungoi as thirrja për tifozët kuqezi, për të qenë të pranishëm në “Air Albania” më 17 qershor.

Sa i përket sulmuesit të Legias, Ernest Muçi, 22-vjeçari deklaroi se është shumë i lumtur që u bë pjesë e grumbullimit të Kombëtares, ndërsa shprehu besimin se ekipi do të marrë një rezultat pozitiv.

Unë jam krenar dhe i lumtur që jam pjesës e listës në këto ndeshje e mendoj se trajneri ka besim te unë, pasi kam komunikuar dhe jam shumë i lumtur. M’u realizua ëndrra. Qëllimi ynë është që të marrim pjesë në Europian, ndaj duhet të jemi shumë të fokusuar, tani na duhet të marrim fitoren në ndeshjen e parë. Ne kemi dhe një grup shumë të mirë e besoj se do ia dalim të marrim një rezultat të mirë.