Bota

Europol: 4,1 miliardë euro të sekuestruara nga krimi i organizuar në BE!

Hetuesit evropianë kanë sekuestruar miliarda euro në luftën kundër krimit të organizuar, por kjo përbën një pjesë të fitimeve kriminale, tha sot  agjencia evropiane e policisë “Europol”.

“Një mesatare e aseteve prej 4,1 miliardë eurosh (4,2 miliardë dollarë) u vlerësua të ishte konfiskuar në Bashkimin Evropian në 2020 dhe 2021, thuhet në raportin e “Europol”.

“Sasia e të ardhurave të sekuestruara ishte ende shumë e ulët, pasi përfaqëson më pak se 2% të të ardhurave vjetore, të vlerësuara nga krimi i organizuar”, tha agjencia.

“Krimi i organizuar ka ndërtuar një ekonomi kriminale globale paralele rreth pastrimit të parave, transfertave të paligjshme financiare dhe korrupsionit”, tha drejtoresha ekzekutive e “Europol”, Catherine De Bolle.

“Me teknologjinë moderne, ata kanë diversifikuar metodën e tyre për të shmangur zbulimin”, tha ajo.

“Deri në 70% e rrjeteve kriminale përdorin forma të ndryshme të pastrimit të parave për të financuar aktivitetet e tyre, dhe 80% abuzojnë me strukturat legale të biznesit për krim”, tha ajo.

Ylva Johansson, komisionerja e BE-së për punët e brendshme, u bëri thirrje vendeve të BE-së që të bashkëpunojnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Nëse vendet anëtare të BE-së punojnë së bashku edhe më afër në këtë luftë, ne mund të arrijmë rezultate të mëdha”, tha Johansson.