Aktualitet

Fier, tentoi të vriste dy persona, një 22-vjeçar në kërkim/Fillimisht, ngjarja ishte raportuar si aksiedent rrugor!

Tentoi të vriste dy persona duke i përplasur me makinë, në Fier shpallet në kërkim një 22-vjeçar për një konflikt me disa persona, që në fillim të javës ishte raportuar si aksident rrugor. Sipas policisë, për motive të dobëta, Pavli Dafa dhe babai i tij u konfliktuan fizikisht me tre persona. Më pas, me makinën që drejtonte, Dafa përplasi qëllimisht dy prej tyre, 26 e 30-vjeç që ishin jashtë automjetit në pronësi të 26-vjeçarit. Aksidentalisht, i riu përplasi dhe një mjet tjetër, të parkuar në anë të rrugës e për t’u larguar nga vendi i ngjarjes mori automjetin e të dëmtuarit, që ditë më vonë u gjet i braktisur nga policia në Visokë të Mallakastrës.

Si rezultat i hetimeve të thelluara për një rast të përplasjes së disa automjeteve, në datë 01.05.2023, në fshatin Sheqishte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, zbardhën dinamikën e këtij rasti, i cili u raportua fillimisht si aksident rrugor.

Në vijim të veprimeve të kryera për këtë ngjarje, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 22 vjeç, banues në Patos, pasi nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 01.05.2023, rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, 22-vjeçari dhe babai i tij, shtetasi A.D., për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.

Pas konfliktit, dyshohet se shtetasi P.D ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. (të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se shtetasi P.D ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshatin Visokë, Mallakastër. Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe kërkimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.