Aktualitet Sport

Fiorentina në zi, ndahet nga jeta drejtori i përgjithshëm Joe Barone!

Drejtori i përgjithshëm i Fiorentinës në Serie A, Joe Barone nuk ia ka dalë. I shtruar në terapi intensive në spitalin ‘Shën Rafaeli’ në Milano që prej të dielës në mbrëmje, pasi u sëmur në hotel para ndeshjes (të shtyrë) kundër Atalantës, ndërroi jetë sot në moshën 57-vjeçare.

Barone, i cili nesër do të mbushte 58 vjeç, ishte i lidhur me atë që quhet ‘makina e ringjalljes’, një pajisje moderne që përdoret për rastet më të rënda të atakut kardiak dhe që ka shpëtuar shumë jetë.

Drejtori i “Vjollcëve” pësoi një arrest kardiak të dielën në Bergamo, me Fiorentinën që kërkoi anulimin e ndeshjes kundër Atalantës, gjë që edhe ndodhi.

Karriera 

Joe Barone, i lindur në Pozzallo (Sicili) më 20 mars 1966, u transferua në Brooklyn me familjen e tij në moshën 8-vjeçare dhe për këtë arsye ka nënshtetësi amerikane. Filloi të punonte në një institucion bankar dhe më pas kaloi në Mediacom, kompania e Rocco Commisso. Në 2017 mori rolin e tij të parë në futboll si nënkryetar i New York Cosmos në pronësi të vetë Commisso, i cili më pas bleu Fiorentinën dhe promovoi Barone si drejtor të përgjithshëm në 2019.