Aktualitet Sport

Flakadanë në ndeshjen Partizani-Tirana, dy tifozë në pranga dhe 6 nën hetim!

Dy tifozë ranë në prangat e bluve të kryeqytetit pasi hodhën flakadanë gjatë dhe pas ndeshjes Partizani-Tirana, që u luajt një ditë më parë. Po ashtu bëhet e ditur se nën hetim janë edhe gjashtë të tjerë, të cilët gjatë kontrollit të ushtruar në hyrje të stadiumit “Air Albania”, u kapën me lëndë piroteknike dhe që nuk lejohen.

“Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe shoqërimin e shtetasve të tjerë që kanë ushtruar veprime të kundërligjshme gjatë aktivitetit sportiv. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”.

Në njoftimin zyrtar thuhet: 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Partizani-Tirana, të zhvilluar më datë 16.02.2024, në stadiumin “Air Albania”, arrestuan shtetasit F. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, dhe K. S., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ditën e djeshme, kanë hedhur flakadanë, gjatë ndeshjes.

Në vijim të veprimeve, gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit F. L., 34 vjeçe, A. B., 18 vjeç, K. A., 25 vjeç, R. M., 20 vjeç, Xh. R., 18 vjeç, dhe një i mitur 15 vjeç, pasi gjatë kontrollit në hyrje të stadiumit, u kapën me lëndë piroteknike.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe shoqërimin e shtetasve të tjerë që kanë ushtruar veprime të kundërligjshme gjatë aktivitetit sportiv. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Partizani mundi 2-1 Tiranën në derbin e 173-të në historinë e dy prej skuadrave më të titulluara në vend. Të kuqtë ngjiten në kuotën e 40 pikëve dhe vendosin bardheblutë në pozita të vështira sa i përket pjesëmarrjes në “Final 4”. Bardheblutë mbeten në kuotën e 34 pikëve në vendin e katërt, por Dinamo e vendit të pestë ka dy ndeshje më pak për momentin dhe është vetëm 3 pikë larg.

Ndeshja mes Partizanit dhe Tiranës u bë mjaft emocionuese, teksa serinë e golave e hapi skuadra e Tiranës pas një kundërsulmi me Abazajn e Latifin. Abazaj tentoi portën, por topi i pritur nga portieri Hoxha shkoi te Latifi i cili nuk fali.

Partizani nuk u dorëzua dhe në minutën e 30-të barazoi shifrat me Skukën, pas një penalltie të fituar nga Skuka. Portieri i Tiranës, Abdullahu, gaboi në largimin e një topi në zonë dhe pastaj shkaktoi faull kundër Skukës. Gjyqtari Ferataj nuk pati dyshime dhe akordoi 11-metërsh, të cilin po Skuka e shndërroi në gol.

Në minutën e 42-të ishte sërish Partizani që shënoi duke përmbysur rezultatin me golin e Carës. Në minutën e 68-të Lushkja gjuajti shtyllën, por kaq nuk mjaftoi që Tirana të barazonte, ndonëse u përpoq. Të pranishëm ishin afro 13 mijë tifozë në Arenën Kombëtare. Ndërkaq, ndeshja tjetër e ditës së djeshme mes Teutës dhe Kukësit u mbyll me fitoren minimale të durrsakëve, pas një goli të shënuar nga Peposhi me penallti.