Sport

Luhet derbi i miliona eurove sonte në Air Albania…

Partizani dhe Tirana në vitet e fundit kanë rimarrë skenën e futbollit shqiptar dhe po dominojnë. Këtë vit është futur në mes edhe Egnatia, por vetëm “Final 4” do të tregojë prestigjin dhe forcën e vërtetë të ekipeve. Cilësia në futboll përkthehet me para dhe nesër në “Air Albania” do të zbresin rreth 11 milionë euro, shifër e konsiderueshme për nivelet e Kategorisë Superiore. Sipas “Transfermarket”, skuadra e Partizanit kushton 6.45 milionë euro, ndërsa bardheblutë, 4.25 milionë euro. Këta të fundit janë “varfëruar” jo pak për shkak të largimit të Florent Hasanit, Kainës apo Ardit Hilës. Këto “firo” të janarit e kanë bërë Tiranën ekipin e tretë më të shtrenjtë, pas Egnatias.

Prej afro një dekade shohim katër beteja të tilla brenda një sezoni, por secili prej tyre është një ngjarje, një spektakël më vete. Një fitore në derbi është si ato ilaçet që të çojnë brenda ditës në këmbë kur je sëmurë. Është si antibiotik për dy skuadra, që vijnë pas luhatjeve dhe pas ndeshjeve kur nuk kanë arritur të tregojnë forcën dhe potencialin që pretendojnë se zotërojnë. Kush fiton këtë derbi, merr dozën e duhur për t’u kuruar në rrugën drejt titullit kampion. I fundit përfundoi barazim, por këtë rezultat sot nuk e do asnjëra. Ky është një derbi i çuditshëm ende pa nisur. Luhet me një skemë ndryshe, që sa i përket pikëve nuk e ka vlerën e përballjeve të viteve të shkuara dhe nga ky aspekt nuk të tërheq sa duhet. Ndeshje anormale në një sezon eksperimental.