Aktualitet

Flakët përpijnë katin e fundit të një pallati në Institut, shkrumbohen 3 banesa

Një pallat i vjetër është përfshirë pak më parë nga zjarri në zonën e Institutit Bujqësor në afërsi të Kamzës. Dyshohet se shkak ka qenë shpërthimi i një bombule gazi në apartamentin ku janë konstatuar flakët e para.

Banorët shprehen se dëgjuan fillimisht një shpërthim të fuqishëm. Raportohet se vatra e zjarrit është në katin e fundit, çka ka bërë që e gjithë çatia të përfshihet nga flakët.

Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, pasi banorët janë nxjerrë në kohë, ndërkohë që dëmi material është i konsiderueshëm. Nga të dhënat e para flitet për 3 banesa të shkrumbuara.

Ndërkaq, një motor është përfshirë nga flakët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur përpara piramidës.

Shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një defekt teknik, megjithatë policia po heton për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes.