Bota

Frikëson Delta, Spanja e Holanda drejt mbylljeve të reja!

Varianti Delta i koronavirusit sa vjen e frikëson Europën dhe jo vetëm! Shumë vende po detyrohen të bëjnë hapa pas, për të mbajtur nën kontroll vatrat e reja të infektimeve që janë në rritje. Masa shtrënguese po zbatohen në Spanjë e Holandë e gjithashtu shqetësimi është rritur në Italinë fqinje ku Ministria e Shëndetësisë publikoi një udhëzues me masa e rekomandime në sfondin e alarmit ndërkombëtar nga mutacioni indian. Për të mos u mbyllur në gusht, ministri Roberto Speranza theksoi rëndësinë e përshpejtimit të vaksinimit e të gjurmimit të rasteve.

Në Spanjë, Katalunja mbylli diskotekat e disa lokale nate ndërsa për të marrë pjesë në grumbullime me më shumë se 500 persona duhet paraqitur certifikata e vaksinimit ndaj COVID-it. Këto hapa rrezikojnë të kompromentojnë sezonin turistik veror, aq shumë të rëndësishëm në Katalunjë. Autoritetet vendore pranojnë se ende ka segmente domethënës në popullatë që nuk janë vaksinuar. Gjithashtu, shqetësojnë rastet në rritje mes të rinjve pasi në një javë vihet re dyfishim.

Holanda është në alarm. Dje u shënuan 10 mijë raste të reja me koronavirus, shifra që vendi nuk i konstatonte prej dhjetorit të kaluar. Kryeministri Mark Rutte njoftoi për një sërë masash shtrënguese, mes të cilave mbylljen e diskotekave e të restoranteve në mesnatë.

Infektimet nga Delta po shtohen edhe në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, një tendencë që fillimisht nisi në mesin e qershorit për të vazhduar ende. Kjo bëri që të shtyhet të paktën më 22 gusht, ajo që njihet si gjendje thuajse e jashtëzakonshme e përfshin periudhën e Olimpiadës.

Alarmi po rritet edhe në Amerikë ku për të katërtën ditë radhazi u kapërcye shifra 20 mijë e rasteve të reja, numër që nuk shihej prej muajit maj. Kryesisht, infektimet vërehen në zonat me nivel vaksinimi nën 40%.

Shpresa e botës tani është te vaksinat që po tregohen efikase sa i përket shtrimeve në spitale e vdekjeve nga koronavirusi. Situata më dramatike paraqitet aty ku përqindja e të vaksinuarve është e ulët, si në Rusi ku dje u raportuan 752 viktima nga pandemia.