Aktualitet

Fushata britanike kundër gomoneve, kritikohet dhe ngjall reagime të forta!

Në mediat shqiptare dhe rrjetet sociale, me mosbesim është pritur lajmi i nisjes së fushatës sensibilizuese të qeverisë britanike, e cila synon frenimin e ardhjes së shqiptarëve përmes La Manshit me gomone. Qeveria e Rishi Sunak-ut përmend rrezikun, por edhe ndalimin e dëbimin e atyre që do të vijnë ilegalisht, ndërsa opozita laburiste e cilëson si “të pabesueshëm” e “në kaos” sistemin e emigracionit. Po ashtu, shoqatat e refugjatëve e quajnë të pakuptimtë.

Qeveria nuk thotë sa ka kushtuar financiarisht kjo fushatë për paralajmërimin e shqiptarëve, të cilët përbënin rreth 14 mijë nga 46 mijë emigrantët që shkuan vjet, nga të cilët afro 9 mijë e 500 me gomone.

Ajo që habit me këtë fushatë është se në kushtet kur nga janari deri në mars të këtij viti, sipas BBC-së, deri tani vetëm 1% e të ardhurve janë shqiptarë dhe shumica indianë e nga kombësi të tjera, fushata bëhet vetëm në Shqipëri e jo në Indi apo vendet e tjera nga janë shumica dërrmuese e të ardhurve ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Për skeptikët, përgjigja vjen në formën e asaj se Britania falë marrëveshjes mes Sunak-ut dhe kryeministrit Rama për kthimin e shqiptarëve nga Britania, i vetmi vend ku mund t’i kthejë të ardhurit me gomone është Shqipëria, në kushtet kur projekti i Ruandës është në resurse ligjore e nuk dihet nëse do të funksionojë ose jo.

Kur shqiptarët deri më sot janë të papërfillshëm nëpër gomonet që ende shkojnë, fushata mund të jetë tregues edhe i të dhënave inteligjente për fluks shqiptarësh në muajt e ngrohtë të verës, ndaj bëhet. Mbetet të shihet nëse kjo fushatë do të bindë shqiptarët që të mos i hynë kalimeve ilegale me gomone nëpër La Mansh. Ndërkohë, masat e ndërmarra duket se nuk kanë bindur emigrantët nga kombësi të tjera se do mund të rikthehen në vendet e origjinës, siç ka premtuar qeveria konservatore britanike e Rishi Sunak-ut./Top Channel