Aktualitet

Fushata e zgjedhjeve të 14 Majit, Celibashi thirrje partive: Përmbahuni nga shpenzimet pa limit!

Zgjedhjet e 14 Majit, kryekomisioneri zgjedhor, Ilirjan Celibashi iu kërkon partive politike të përmbahen nga shpenzimi pa kufi i parave për fushatën elektorale. Ndërsa zyrtarisht fushata u hap të premten e kaluar, Celibashi foli në një tryezë konsultimi kushtuar “Shfrytëzimit të potencialit të sistemeve të raportimit dhe deklarimit online të financimit të partive politike”. Kryekomisioneri vuri në dukje se për KQZ-në, “kjo platformë online do të jetë një mundësi më e mirë që të kontrollojë financimin e partive politike gjatë fushatës zgjedhore”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë një mundësi më të mirë për të bërë verifikime më të thelluara në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor mbi paratë e shpenzuara nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore.

Ky sistem është një mundësi shumë e mirë, e kam fjalën për shoqërinë civile, media por edhe të tjerë për të marrë informacion e nxjerrë konkluzione për të bërë vlerësime se çfarë përmbajnë të dhënat e grumbulluara përmes këtij sistemi.

Ne jemi vetëm në fillim të përdorimit të këtij sistemi dhe askush prej të gjithë përdoruesve nuk është familjarizuar plotësisht me këtë sistem, por  të paktën qoftë edhe formalisht nga pikëpamja e asaj që kishim objektiv, e kemi realizuar qëllimin. Synimi i partnerëve europianë ishte që ta kishim këtë projekt gati për këto zgjedhje dhe raportimi mbi financat e kësaj fushate të bëhet përmes kësaj platforme.

Nuk besoj se do të jetë kaq e thjeshtë dhe do të ketë kaq transparencë e mundësi për të bërë publik çdo abuzim, por mendoj se do të jetë diçka ndryshe nga herët e tjera. Përtej gjithë retorikës së ngarkuar politike që shoqëron fushatën zgjedhore, duket se ka një lloj kujdesi të paktën formalisht për t’u përpjekur për t’i respektuar këto rregulla.

Mund të bëjmë më shumë për t’i bërë të përmbajtura partitë politike që të mos demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë e interesin e tyre për të shpenzuar para’ pa limit në fushatën zgjedhore.