Botë e Çuditshme

Gabimi në fekondim, lind fëmijën e një gruaje tjetër dhe dëmshpërblehet!

Solli në jetë djalin e një gruaje tjetër për shkak të një gabimi gjatë fekondimit in vitro. Kjo është historia e një gruaje ruse, Olga Alyokhina nga Chelyabinsku i Rusisë.

Siç shkruan britanikja “The Sun”, prindërit e fëmijës me emrin Denis e kuptuan se 2-vjeçari nuk ishte djali i tyre biologjik kur zbuluan grupin e tij të gjakut.

Më tej, testi i ADN-së konfirmoi se 33-vjeçares iu vendos embrioni i një gruaje tjetër dhe tani Alyokhina kërkon të dijë nëse fëmija e saj ka lindur. Madje dyshon se po e rrisin prindërit biologjikë të Denisit. Me shpresën për të zbardhur të vërtetën, vendosi të bëjë publike historinë.

Historia

Në nëntor të 2018-ës lindi Denis dhe Olga u befasua kur mësoi se djali kishte grupin e gjakut A ndërsa ajo e ka B e bashkëshorti 0. Më tej, me analiza gjaku e testin e ADN-së, mjekët konfirmuan dyshimet e çiftit.

Ishte tronditje e thellë. Spitali na sugjeroi të dërgonim fëmijën në jetimore por refuzova pasi i dhashë gji e kurrë nuk do të hiqja dorë. E prisnim me padurim fëmijën.

Por prindërit e Denisit kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur. Nga autoritetet shëndetësore në Chelyabinsk, Olga mori 29.500 paund dëmshpërblim për gabimin gjatë fekondimit.