Aktualitet

Gërdeci, Mihal Delijorgji u paraqit në GJKKKO, por nuk pranoi të dëshmonte!

Në seancën e sotme në GJKKO në procesin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”, si i thirrur nga SPAK-u, u paraqit Mihal Delijorgji. Ish-administratori i kompanisë “Alba Demil” refuzoi të dëshmojë në gjyq duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji. Më pas, avokatët dhe prokuroria kërkuan që në dosjen gjyqësore, të administrohen dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur. Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-sekretare e Ministrisë së Drejtësisë e as Denis Hajdari dhe Luan Hoxha. Për Hajdarin, prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi mori dijeni dhe nuk u paraqit. Ndërsa për Agollin e Hoxhën të vijojë kërkimi.

Në seancë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” i kërkoi Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të sqaronte vendimin e saj lidhur me mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikanë, me videokonferencë ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi.

Ky proces ka nevojë të shkohet përmes pyetjeve. Vetë kërkuan. Drejtësia amerikane ka ofruar mundësinë që të pyeten nëpërmjet videokonferencës. Prokuroria nuk po jep asnjë lloj të dhëne të re për procesin. Besoj se në të gjithë këtë proces, mos dhënia e përgjigjes tregon qartë se prokuroria i ka sjellë dëshmitarët formalë pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën.

Seanca e radhës në GJKKO u caktua për në datën 9 prill, në orën 09:00 të mëngjesit. Në seancën e 15 marsit, Mediu u shpreh:

E nderuar Znj.Gjyqtare! Në seancën e kaluar prokurori kërkoj që unë të pyetem. Që në krye të herës dua të them se:

Pavarësisht se ky proces penal kundër meje ka nisur dhe po vazhdon në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, kam zgjedhur të respektoj intitucionin e Gjykatës dhe Prokurorisë dhe kundërshtimin ndaj kësaj paligjshmërie ta bëj në këtë sallë.

Nuk kam bërë politikë me këtë cështje dhe pse sic theksova, paligjëshmëria për cdo njeri me dije minimale juridike është flagrante dhe nuk i jam shmangur apo larguar qoftë edhe një cast përballjes me drejtësinë në këto 17 vite.

Kam qenë këtu në cdo seancë për të dëgjuar me vëmendje të gjithë dëshmitarët me të cilët akuza pretendon të provojë fajësin time.

Asnjëri prej tyre nuk ka dëshmuar qoftë edhe një fjalë të vetme kundër veprimeve të mia, madje kanë treguar qartë se Ministri nuk ka përcaktuar Gërdecin, nuk ka përcaktuar kalibrat si dhe nuk ka përgjegjësi për zbatimin e Rregullores së trajtimit të municioneve sepse ato janë cështje tërësisht ushtarake.

Ministri si autoritet civil drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes, ka respektuar vendimet e strukturave civile dhe ushtarake të ngarkuara me ligj. Nuk ka asnjë dëshmi që të kem, injoruar dhe ndikuar në asnjë rast vendimarrjen e tyre.

Kam zbatuar ligjin dhe detyrat e mija si Ministër i Mbrojtjes. Kam kërkuar nga strukturat ushtarake dhe civile të raportojnë detyrat e ngarkuara me ligj në mënyrë periodike tek autoritet e tyre drejtuese dhe tek Ministri. Nuk ka pasur asnjë raportim për moszbatim të detyrimeve ligjore apo rregullave të trajtimit të municioneve.

Do të jem këtu në çdo moment për të debatuar dhe vlerësuar cdo dokument apo fakt që kërkon të sjell prokuroria si provë në këtë proces. Kam bindjen se vlerësimi i paanshëm dhe i vërtetë me ekspertë i akteve të ekspertimeve ushtarake, ekonomike dhe fakti pse ka ndoshur ngjarja, do të hidhnin dritë mbi të vërtetën e cila manipulohet qëllimisht prej 17 vitesh.

E nderuar Znj. Gjyqtare, për 17 vite unë nuk jam pyetur.

SPAK për dy vjet nuk më pyeti dhe hetoj cfarë donte, padyshim kjo është detyra e SPAK të hetojë, por mendoj se në dy vite duhet të kishte pasur vullnetin për të dëgjuar dhe të vërtetën time për të bërë drejtësi dhe për të ndryshuar edhe veprimet e qëllimshme të ish-Prokurorëve.

Për fat të keq kjo nuk ndodhi.

Prokuroria ka kërkuar të pyetem në fund të dëshmitarëve që ka paraqitur.

Po Znj.Gjyqtare pranoj tu përgjigjem cdo pyetje të prokurorëve apo pyetjeve tuaja, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, mbasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore.

Përndryshe zhvillimi i seancës së pyetjeve ndaj meje, në këtë moment të procesit do të jetë thjeshtë një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjesht statistikës.

Shpërthimet e 15 marsit 2008 në Gërdec i morën jetën 26 personave, mes tyre fëmijë. 300 të tjerë u plagosën.