1këngëx2 Celebrities

Gerta Heta ndan urimin dhe kujtimet e saj për përvjetorin e 24-të të Top Albania Radios!

Sot në përvjetorin e 24-të të Top Albania Radios ishte e ftuar në studio moderatorja e njohur Gerta Heta e cila ka qenë padyshim një nga spikeret që ka bërë histori në këtë radio. Ende sot e kësaj dite ajo njihet si Gerta e Top Albania Radios dhe nuk kishte si të mungonin disa fjalë zemre për dashurinë e saj më të madhe, Top Albania Radion.

Unë edhe rrugës kisha emocione, këtu hapet rubineti sa herë vij dhe qaj. Nuk i shpëtova dot lotëve. Radio më dhuron shumë emocione, të na bëhet edhe 100 radio jonë e zemrës. Vitet ndryshojnë, ne ndryshojmë, Top Albania ngelet njësh për të gjithë ne dhe për të gjithë ata që e kanë ikonë. Nëse përmendet radio njerëzit e identifikojnë me Top Albania Radio-n. Ne deri vonë na kanë thërritur gocat e radios, Gerta e Top Albania Radios.

Mesa duket Tani këtu ka lënë frymën e vet, pasioni i tij ka mbetur dhe nëpër mure, na është injektuar pasioni i tij. Punoja 7 ditë të javës dhe vija me qejf në punë, nuk e ndieja aspak lodhjen. Ka një magji kjo radio, sinqerisht jam e emocionuar sa herë vij këtu. Ndjekësit përveç letrave që i puthnin, ka pasur nga ata që vinin me akullore te dera dhe thonin: ‘Aman ma transmeto këngën’. Një vajzë më ka pikturuar, më kishte parë, kishte ardhur nga Kavaja më kishte bërë foto. Njëri na ftoi në dasëm, kemi pasur një tjetër që më ka ardhur deri në Kamëz, vjen deri te shkolla në Kamëz për të më takuar mua. Ka pasur çmendurira. Kam ruajtur kontakte me ta edhe sot e kësaj dite. Ka njerëz që më shkruajnë: ‘Na kishte marrë malli të të dëgjonim në Top Albania Radio.’ Radio është dashuri, radio është shkollë.