Bota

Gjeorgji, vazhdojnë protestat kundër projektligjit për “Agjentët e huaj”!

Në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi, vazhdojnë protestat kundër të ashtuquajturit projektligji për “Agjentët e huaj”, i cili pritet të kalojë për votimin përfundimtar në Parlamentin e Gjeorgjisë. Edhe dje në mbrëmje, qytetarët gjeorgjianë marshuan në rrugët e sheshet e Tbilisit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të qeverisë për të prezantuar ligje të cilat rrezikojnë dëmtimin e marrëdhënieve të këtij vendi me Perëndimin.

Nga ndërtesa e Parlamentit, ata marshuan në drejtim te zyrave qendrore të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ku dhe u përballën me një kordon policor. Disa prej tyre valvitën flamuj të BE-së e të Gjeorgjisë. Nuk u raportua për akte dhune.

Në protestat tashmë disa javore kundër “ligjit rus”, pasi ka ngjashmëri, nuk mungojnë veprimet e ashpra policore për shpërndarjen e turmave. Raportohet se janë përdorur plumbat e gomës, si dhe u kryen arrestime. Po ashtu, disa banda kanë sulmuar demonstruesit.

Njëri prej organizatorëve të protestës më të fundit, Zviad Tsetskhladze, tha se kundërshtarët e projektligjit kanë krijuar një grup, i cili do të përpiqet të sigurojë mbështetje financiare për individët që pushohen nga puna në sektorin publik, për shkak të kundërshtimit të projektligjit.

Me mijëra gjeorgjianë kanë dalë në rrugët e Tbilisit e të qyteteve të tjera, në protestat të cilat kanë hasur në përgjigje të ashpër policore, si spraj kimik e gaz lotsjellës, topa uji e plumba gome. Projektligji i detyron mediat dhe organizatat joqeveritare e jofitimprurëse të regjistrohen si “ndjekëse të interesave të një pushteti të huaj”, nëse më shumë se 20% e të ardhurave të tyre vijnë nga jashtë.

Qeveria ngul këmbë se ligji do të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe se qëllimi i vetëm i tij është rritja e “transparencës” e parandalimi i “ndikimit të dëmshëm nga jashtë” në skenën politike të vendit. Projektligji pritet të hidhet në votim deri më 13 maj.

Ëndrra Gjeorgjiane dhe aleatët e saj duket se i kanë votat e mjaftueshme për ta kaluar e ndoshta për ta rrëzuar veton, që presidentja Salome Zourabichvili është zotuar ta përdorë.

Liderët e BE-së kanë thënë se zbatimi i këtij ligji do të ndikojë në shpresat e Gjeorgjisë për t’iu bashkuar bllokut. Drafti u dënua edhe nga Amerika, e cila ka qenë mbështetësja më e madhe e ish-republikës sovjetike në vitet e fundit.